Emiratet e Bashkuara do t’u ofrojnë shtetësi të huajve me këto profesione

  • E.K /
  • 30 January 2021 - 12:06
Emiratet e Bashkuara do t’u ofrojnë shtetësi të huajve me këto profesione

Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë miratuar amendamentet që do ta mundësojnë ofrimin e shtetësisë për kategori të caktuara të investitorëve dhe profesionistëve, përfshirë mjekët, shkencëtarët, artistët, njerëzit e talentuar dhe familjet e tyre.

“Kabineti i EBA-së, gjykatat lokale dhe këshillat ekzekutivë do t’i nominojnë ata që i plotësojnë kushtet për shtetësi sipas kritereve të qarta që janë vendosur për secilën kategori”, tha kryetari i Dubait dhe nënpresidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Rashid Al Maktoum.

“Ligji u mundëson marrësve të pasaportës së Emirateve të Bashkuara që ta mbajnë shtetësinë e tyre ekzistuese”, tha më tej në një postim në rrjetet sociale zyrtari i lartë i shtetit të Gjirit Persik.

Të huajt në këtë shtet zakonisht kanë viza që mund t’u vazhdohet afati për vetëm disa vite dhe procesi është i lidhur me punësimin. Sidoqoftë, qeveria së fundi e ka bërë më fleksibile politikën e vizave, duke ofruar mundësi për banim më të gjatë për disa kategori të investitorëve, studentëve dhe profesionistëve, shkruan Reuters.

Vitin e kaluar, qeveria e zgjati afatin e sistemit të artë të vizave, me të cilin u jepet leje banimi për dhjetë vjet profesionistëve dhe specialistëve të caktuar.

Megjithatë, duke qenë shtet i varur nga shitja e naftës, ekonomia e Emirateve të Bashkuara Arabe është goditur nga pandemia e koronavirusit dhe çmimi i ulët i karburanteve, duke nxitur dhjetëra mijëra të huaj të largohen nga ky vend.

(Kosova Sot Online)