Koronavirusi: Gabimet e përditshme që ende po i bëjnë njerëzit

  • E.K /
  • 01 February 2021 - 09:05
Koronavirusi: Gabimet e përditshme që ende po i bëjnë njerëzit

Infektimet me COVID-19 në gjithë botën s’kanë të ndalur, pavarësisht muajve të tërë të izolimit të ndërmarra në shumë vende. Institucionet po marrin masa për të parandaluar rritjen e rasteve të reja, por shumë prej tyre po dështojnë.

Për arsyet e dështimit të autoriteteve një virolog, një psikolog dhe një ekspert tjetër shëndetësor në një artikull për prestigjiozen “The Guardian” kanë renditur disa prej gabimeve të përditshme për COVID-19 që njerëzit ende po i bëjnë edhe pse ka kaluar një vit që nga dalja për herë të parë e virusit që ka marrë jetën e 2.2 milionë njerëzve në gjithë botën.

Fokusimi në ato që lejohen, më shumë se në ato që janë të sigurta

Edhe pse njerëzit janë të izoluar, ka shumë fusha në të cilat mund të takohen me të tjerët, si palestrat sportive, apo edhe vizita te njëri-tjetri. Shumica e të rinjve po mendojnë se kur rrinë me bashkëmoshatarë nuk e rrezikojnë shumë tjetrin, por po harrojnë se ata më pas do të takohen me njerëz më të moshuar dhe ndoshta nuk janë të kujdesshëm sa duhet duke rritur shanset për shtim të rasteve me COVID-19. Moskujdesi vlen edhe për prindërit që lejojnë që fëmijët e tyre të takohen me shoqërinë e më pas kthehen në shtëpi ku janë edhe më të moshuarit.

Besimi i miqve që thonë se “kam qenë i kujdesshëm”

Një studim i kryer te të rritur amerikanë ka gjetur se çereku i tyre kanë gënjyer se kanë mbajtur distancë fizike me të tjerët dhe se në mesin e atyre që kishin COVID-19, 34 për qind kishin raportuar se miqve ua kanë mohuar se kanë simptoma.

Dështimi i të kuptuarit të bartjes së virusit përmes ajrit

Nëse mund të nuhatni frymëmarrjen e dikujt që ka konsumuar alkool apo edhe duhan, ju jo vetëm që po merrni ajrin nga ai, por edhe çdo lloj virusi që ai person mund të ketë në hundë apo gojë, thotë virologu Julian Tang nga Universiteti i Leicesterit.

Besimi se parandalimi është “gjithçka ose asgjë”

Vazhdimisht studimet po tregojnë se sasia e virusit që një njeri thithë po del të jetë edhe kyç për telashet që po shkakton virusi në organizëm. Kjo nënkupton se edhe vetëm një masë e thjeshtë parandaluese është më e mirë se të mos ketë asnjë përpjekje për t’iu shmangur infektimit. Disa ekspertë flasin për modelin e djathit zviceran. Imagjinojeni një copë djathi të tillë të ndarë në fetë. Çdo shtresë ka vrima në të cilat kalon virusi, por kur ato bashkohen – maska, distanca, larja e duarve e më pak kontakte sociale – rreziku padyshim që reduktohet.

Mendimi se gjithçka që është jashtë është e sigurt

Bisedimi me njerëzit në ambientet e hapura po mendohet se është më pak i rrezikshëm se çfarëdo komunikim në ambientet e mbyllura. Megjithatë, kjo s’është tërësisht e saktë. Nëse jeni ulur afër dikujt për kohë të gjatë gradualisht virusi mund të akumulohet në mushkëri pavarësisht ambientit ku ndodheni.

Maskat e vendosura gabim

Distanca sociale, përfshirë shmangien e grumbullimeve të vogla dhe të mëdha ka ndikimin më të madh në shmangien e infektimit me virus. Por nëse maska përdoret kur s’mund të shmanget distanca fizike, ajo ndihmon shumë, thonë ekspertët. Maska është rekomanduar nga ekspertët shëndetësorë që nga fillimi i pandemisë, dhe tani po bëhet thirrje për mbyllje të plotë të hundës dhe gojës pasi është parë se njerëzit nuk po i respektojnë mirë rekomandimet, duke mos e mbajtur maskën siç duhet.

Të besuarit se vaksinimi ju lehtëson

Programi i vaksinimit në disa vende të zhvilluara po ecën shpejt. Shumica e njerëzve në këto vende kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Me një dozë njerëzve u duhet të kalojnë disa javë për të zhvilluar përgjigje imunitare dhe ka ende pasiguri se sa mbrojtje mund t’u ofrojë ajo deri kur të marrin dozën e dytë. Disa hulumtime kanë treguar se në Britani, njerëzit që kanë marrë dozën e parë janë lehtësuar dhe po shprehen të gatshëm për takim me familjarë e miq, që pritet të rezultojë në shpërthim të ri.

Të menduarit se s’mund të infektoheni për herën e dytë

Riinfektimi te njerëzit që kanë qenë të hospitalizuar me COVID-19 nuk po ndodh shpesh, por ndodh. Dihet pak për rastet më të lehta, por mundësia e riinfektimit ekziston. Edhe nëse keni kaluar një herë virusin, masave duhet t’u përmbaheni, është porosia e ekspertëve.

(Kosova Sot Online)