Armend Zemaj: 520 specializantë do të subvencionohen nga Qeveria

  • E.K /
  • 01 February 2021 - 11:30
Armend Zemaj: 520 specializantë do të subvencionohen nga Qeveria

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka mbajtur konferencë për medie lidhur me specializimet në shëndetësi të ndara nga kjo ministri.

Ai me këtë rast tha se ky grup i specializantëve po subvencionohen për ta përballuar me lehtë specializimin.

Krejt kjo po bëhet sipas tij, në mënyrë që mos të lejohet që mjekët e rinjtë të mbesin pa specializim dhe të ikin jashtë vendit.

“Kjo është kategori e specializantëve me vetëfinancim, prandaj mbështetja financiare për specializantin e ri është për të siguruar stabilitet. Po subvencionohen që të përballojnë më lehtë financimin. Duke u bazuar në përkushtimin tonë që të mos lejojmë që mjekët e rinj të mbesin pa specializuar ose të ikin jashtë Kosovës. 1 mijë e 500 specializime janë ndarë deri më tani. Shprehi përkushtimin e MSh-së për t’i dhënë prioritet kësaj fushe”, shtoi ai.

Zemaj bëri të ditur sot se lirohen nga pagesa e shkollimit specialistik për çdo vit, të gjithë specilizantët me vetëfinancim me kërkesë të Institucioneve shëndetësore private dhe publiko-private dhe nga vetë specializantët të cilët kanë nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë.

Në një konferencë për media, bashkë me një grup të specializantëve dhe kryetarin e Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, dr. Labinot Shanini, Ministri Zemaj tha se përveç lirimit nga pagesa prej 500 euro për vitin e shkollimit spacialistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, do të mundësojnë që këta specializantë, të paguhen përmes subvencionece gjatë shkollimit të tyre specialistik, me qëllim që të njëjtit ta përballojnë më lehtë krejt procesin e specializimit, deri në përfundim të programit

“Ky vendim është marrë me qëllim të mbështetjes dhe stimulimit për të gjithë specializantët që kanë nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë për shkollimin specialistik kategoria “specializanti me vetëfinancim” që janë 520 dhe për të mundësuar shkollim specialistik cilësor dhe adekuat, sipas planit dhe programit specialistik”, tha Ministri Zemaj.

Ai tha gjithashtu se vendimi është marrë për t’i mbështetur financiarisht specializantët dhe familjen e tij duke iu dhënë mundësimin e shkollimit pa pasur nevojë për pagesë shtesë dhe për të krijuar siguri dhe stabilitet të specializantit në shkollim.

“Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së gjatë këtij mandati ka bërë një hap të jashtëzakonshëm duke ndarë 1500 specializime, pas një procesi të bllokuar pa asnjë arsye për disa vjet. Kjo situatë është zhbllokuar dhe ajo që na mbetet obligim është që të përkrahim dhe më tej të rinjtë tanë, profesionistët tanë në arritjen e shkathtësive profesionale që të jenë me dijet e tyre ekuivalente me kolegët e tyre kudo në botë dhe kësisoj t’i kontribuojmë procesit që mjekët t’i aftësojmë dhe t’i kemi në sistemin tonë shëndetësor dhe të ketë sa më pak arsye që dikush ta braktis vendin”.

Duke ju uruar për këtë hap specializantëve të ri, Ministri Zemaj tha se shpreh përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i dhënë gjithmonë prioritet kategorisë së profesionistëve shëndetësor, të cilët me punën e tyre, në veçanti në menaxhimin e pandemisë COVID-19 po tregojnë vlerat e larta profesionale dhe humane.

Specializanti Nol Smajli, në emër të grupit të specializantëve me vetëfinancim, falënderoi Ministrin Zemaj, BQSHS dhe Qeverinë e Kosovës për qasjen bashkëpunuese me qëllim që kësaj kategorie të mjekëve t’i mundësohet mbështetja financiare për shkollim specialistik, dhe vet shkollimi specialistik.

“Bashkëpunimi që kemi hasur na bën që të motivohemi për të kryer shkollimin specialistik dhe për të kontribuar në vendin tonë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)