OKB-ja: Në burgjet e Koresë Veriore ka shumë torturë dhe punë të detyrueshme

  • E.K /
  • 02 February 2021 - 12:28
OKB-ja: Në burgjet e Koresë Veriore ka shumë torturë dhe punë të detyrueshme

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha të martën se tortura dhe puna e detyrueshme janë shumë të përhapura në burgjet e Koresë Veriore, saqë mund të arrijnë edhe në krime të mundshme kundër njerëzimit.

Raporti i publikuar shtatë vjet pas hetimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin thuhej se në shtetin komunist janë duke u kryer krime kundër njerëzimit, gjithashtu theksoi se kampet për të burgosurit politikë vazhdojnë të jenë funksionale, ndonëse është vështirë të merren informata për to.

“Jo vetëm që del në pah pandëshkueshmëria, por edhe shkeljet e të drejtave të njeriut që mund të arrijnë në krime kundër njerëzimit, nëse vazhdojnë të kryhen”, tha Michelle Machelet, komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Ajo u bëri thirrje fuqive botërore që të vendosin drejtësi dhe t’i parandalojnë shkeljet e mëtejme. Në raport i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që Korenë Veriore ta paraqesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve ose të themelojë një tribunal “ad-hoc” për këtë rast.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ndaj Koresë Veriore mund të vendosen sanksione shtesë, në koordinim me aleatët, duke paralajmëruar edhe nisma të tjera diplomatike, të cilat nuk i saktësoi, shkruan Reuters.

Koreja Veriore mohon se ka kampe për të burgosurit politikë dhe vitin e kaluar e dënoi veprimin e Britanisë për vendosjen e sanksioneve kundër dy organizatave për të cilat qeveria britanike tha se janë të përfshira në punë të detyrueshme, torturë dhe vrasje në kampe.

(Kosova Sot Online)