VV shpërndan një video: Kurti u mirëprit dje nëpër shtëpitë dhe odat e Skenderajt

  • E.K /
  • 02 shkurt 2021 - 15:52
 VV shpërndan një video: Kurti u mirëprit dje nëpër shtëpitë dhe odat e Skenderajt

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dje ka vizituar qytetin e Skenderajt.

Përmes një njoftimi për media nga kjo parti, thuhet se Kurti u mirëprit në odat e familjeve në Skenderaj, pavarësisht që dje i njëjti nuk u mirëprit mirë nga grup i qytetarëve në Skenderaj.

“Bashkëbisedime të përzemërta për qeverisjen e shumicës që po vjen, nëpër shtëpitë e odat e Skenderajit ku u mirëprit dje kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, bashkë me kandidatët për deputet, Shqipe Selimi Mehmetin, Hysni Mehanin, Enver Dugolloin, Rreze Dulin dhe kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin. Ata gjithashtu vizituan edhe fermer ku folën për të ardhmen e bujqësisë në vend, për nevojën e mbështetjes së prodhimit vendor”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Vizita e Kurtit në Skenderaj e ku ishte i shoqëruar edhe nga zyrtarë policorë, shkaktoi reagime të shumta në vend.

Ai mori kritika të mëdha që shkoi në Skenderaj nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Këto pakënaqësi i’u shfaqën atij edhe në momentet e vizitës. “UÇK, UÇK”, “Thaçi, Thaçi”, ishin disa nga brohoritjet e qytetarëve, teksa Albin Kurti po zhvillonte vizitë në Skenderaj.

Për këtë incident janë deklaruar edhe nga PK’ja.

Në një përgjigje për, policia thotë se me rastin e zgjedhjeve të parakohshme është përgatitur urdhri operativ me qëllim që të ofrohet siguria, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike.

 “Policia e Kosovës, lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës me kohë ka përgatitur urdhrin operativ, i cili ka për qëllim ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha fazat, para gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Gazetën Express.

Përveç brohoritjeve, banorët e kanë sulmuar Kurtin edhe me vezë, si pasojë e këtij presioni, ai është larguar nga tubimi, derisa policia po e izolonte turmën.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe planifikimeve të saja operacionale…Veprimet policore realizohen konform urdhrit operativ, ku sipas informacioneve dhe vlerësimeve operacionale, angazhohen njësitet relevante policore me qëllim të krijimit të një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, përfundon përgjigja e policisë për incidentin e mbrëmshën në Skenderaj.

Por, para se të largohej ai tha disa fjalë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Miqve e dashamirëve që keni, farefisit të juaj…që të dilni masivisht në zgjedhje, sepse fitorja kësaj radhe nuk është veç me dalë të parët, se s’ka kush del i pari, na kena me dalë të parët”, ka thënë Kurti në tubimin e mbajtur në Skenderaj.

(Kosova Sot Online)