Joe Bideni nënshkruan urdhra ekzekutivë për t’i bashkuar fëmijët imigrantë me prindër

  • E.K /
  • 03 February 2021 - 09:07
Joe Bideni nënshkruan urdhra ekzekutivë për t’i bashkuar fëmijët imigrantë me prindër

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nënshkruar tre urdhra ekzekutivë me qëllim të ribashkimit të familjeve imigrantë që janë ndarë nga politikat e administratës së ish-presidentit Trump dhe ka urdhëruar rishikim të agjendës më të gjerë të paraardhësit të tij rreth imigrimit.

Në përpjekje për ta parandaluar imigrimin ilegal, administrata e ish-presidentit Trump i ndau të rriturit pa dokumente nga fëmijët e tyre pasi ata e kaluan kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, shkruan BBC.

Me urdhrat e nënshkruar nga presidenti i ri do të themelohet një taks-forcë në përpjekje për t’i ribashkuar rreth 600 deri 700 fëmijë që ende janë larg familjeve të tyre. Administrata e Trumpit i ndalu së paku 5.500 fëmijë nga të rriturit në vitet 2017-2018.

Dy urdhra të tjerë kërkojnë rishikim të politikave të Trumpit për imigrimin, të cilat ndikuan në pakësimin e azilkërkuesve, e ngadalësuan procesin e imigrimit të ligjshëm dhe i anuluan fondet për shtetet e huaja.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Biden tha: “Ne do të punojmë për ta zhbërë turpin moral dhe kombëtar të administratës së kaluar që fjalëpërfjalshëm, jo figurativisht, i grabiti fëmijët nga krahët e familjeve të tyre, nga nënat dhe baballarët e tyre, në kufi dhe pa plan, do të punojmë për t’i ribashkuar me prindër fëmijët që ende janë në ndalim.”

Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu ka propozuar legjislacion për ofrimin e statusit ligjor dhe një rruge drejt shtetësisë të gjithë 11 milionë njerëzve pa dokumente në Shtetet e Bashkuara.

(Kosova Sot Online)