Shteti i BE-së këshillon që vaksina e Oksfordit të përdoret për njerëzit nën 55 vjeç

  • E.K /
  • 03 February 2021 - 11:41
Shteti i BE-së këshillon që vaksina e Oksfordit të përdoret për njerëzit nën 55 vjeç

Rregullatorët në Belgjikë janë të fundit në Evropë që këshilluan kundër vaksinimit të personave të moshuar me vaksinën e kompanisë AstraZeneca për shkak të mungesës së të dhënave rreth efikasitetit të saj te kjo grupmoshë.

Ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, tha se Këshilli i Lartë i Shëndetësisë ka sugjeruar që vaksina tash për tash duhet t’u jepet vetëm personave nën moshën 55-vjeçare, shkruan The Guardian.

“Këshilli i Lartë i Shëndetësisë thotë shumë qartë se vaksina e AstraZeneca-s është vaksinë shumë e mirë për njerëzit nga 18 deri në 55 vjeç, por gjithashtu thotë se sot nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për të thënë me siguri se funksionon aq mirë te njerëzit më të moshuar. Nëse nuk jeni të sigurt, këshilla është që të fillohet përdorimi i vaksinës te njerëzit nën moshën 55-vjeçare”, tha ministri.

Sidoqoftë, ai njoftoi se kjo këshillë nuk është përfundimtare. “Është këshillë preliminare. Ndoshta do t’i kemi të dhënat e nevojshme pas pak javëve. Tash për tash do të shkojmë sigurt”, shtoi ai.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve e ka miratuar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare, por mungesa e të dhënave për efektin e saj te personat e moshuar ka nxitur disa organe këshillëdhënëse në vendet anëtare të BE-së që të bëjnë thirrje për kujdes.

Vendimi i autoriteteve belge erdhi pasi masë të ngjashme morën edhe Franca, Gjermania, Polonia dhe Italia, të cilat e përjashtuan vaksinimin ose paralajmëruan për kujdes kundër marrjes së kësaj vaksine nga personat mbi moshën 65-vjeçare.

(Kosova Sot Online)