Meliza Haradinaj-Stublla: “Zgjoi” është e vërteta e Kosovës

  • E.K /
  • 03 February 2021 - 13:56
Meliza Haradinaj-Stublla: “Zgjoi” është e vërteta e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, i është gëzuar suksesit të filmit artistik “Zgjoi” / “Hive”, i cili bëri mbrëmë historinë duke fituar tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.

Ministrja Haradinja-Stublla tha se suksesi i filmit “Zgjoi” është ndër arritjet më të mëdha ndërkombëtare të kulturës dhe filmit kosovar.

“Zgjoi’ është e vërteta e Kosovës, një histori prekëse e grave të Krushës së Madhe, që rindërtuan jetën e tyre mbi dhimbjen. Këtë histori të vërtetë të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, bota edhe pas 21 vitesh ka nevojë ta dëgjojë e ta rikujtojë”.

Shefja e diplomacisë kosovare ka falënderuar komunitetin e jashtëzakonshëm artistik e kulturor të Republikës së Kosovës, të cilët gjithmonë arrijnë të promovojnë Kosovën në botë, në të shumtën e herave me vetëiniciativë.

“Për arritjen e mbrëmshme përgëzoj veçanërisht regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin e saj fantastik”.

(Kosova Sot Online)