Albin Kurti kundërshton institucionet e shtetit, hyn në garë pa u certifikuar

  • E.K /
  • 03 February 2021 - 14:00
Albin Kurti kundërshton institucionet e shtetit, hyn në garë pa u certifikuar

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatja për deputete në listën e kësaj partie Vjosa Osmani, kanë bërë hapjen e fushatës zgjedhore në qytetin e Pejës.

Nga atje Kurti tha se do të dalin fitues në zgjedhjet e 14 shkurti, duke paralajmëruar kështu edhe pjesëmarrje masive të qytetarëve në këto zgjedhje.

“Ne kemi një tubim të hapjes në Prishtinë, sonte në orën 19:30, mirëpo sot jemi këtu në Pejë, në këtë qytet të bukur që i ka dhënë aq shumë edhe luftës çlirimtare edhe paqes në Kosovë, artit, shkencës, historisë dhe kulturës. Tash në shesh do të takojmë qytetarët pejanë që masisvisht janë të vendosur për ndryshime dhe do të ketë pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhjet e 14 shkurtit. Duket që kjo fushatë e paralajmëron pranverën e 2021’ës”, ka thënë.

Për sa i përket ndalimit të kandidaimit të tij për deputet, Kurti tha se nuk ka asnjë pengesë që nuk mund të tejkalohet.

“Ne e kemi listën tonë me 110 kandidatë. Ka pengesa e vështirësi të ndryshme por asnjë të atillë që nuk do ta kalojmë”, ka thënë më tutje Kurti.

Në ndërkohë Osmani ka thënë që shpreson që qytetarët e Pejës të votojnë për ndryshimin.

“Dua të falënderojë të gjithë qytetarët e Pejës për këtë pritje kaq të ngrohtë dhe për vullnetin që po na japin që 14 shkurti të jetë dita e referendumit. Shpresoj që kjo frymë e ndryshimit që po mbizotëron sot në Pejë të jetë edhe anë e mbanë Kosovës. Jam e bindur që do të vazhdojë sepse Peja ka ditur që gjatë historisë ti prijë ndryshimit. Qytetarët e Kosovë pa dallim se cilës parti i kanë takuar së kaluarës janë për ndryshim me 14 shkurt. Ne do ti respektojmë të gjithë dhe besoj që tani ata i janë bashkuar këtij vullneti për ndryshim”, tha ajo. 

(Kosova Sot Online)