Veliu për Vjosa Osmanin: Hiri i historisë do ti mbulojë ata që proklamojnë politika marksiste

  • A.P /
  • 03 February 2021 - 17:59
Veliu për Vjosa Osmanin: Hiri i historisë do ti mbulojë ata që proklamojnë politika marksiste

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka folur për ish- kandidaten për kryeministre nga kjo parti Vjosa Osmanin.

Në hapjen e fushatës zgjedhore të LDK’së, në qytetin e Podujevës ai kritikoi Osmanin për propagandën majtiste të ushtruar ndaj partisë.

“Lista e LDK’së si edhe herëve të tjera është listë me bagazh intelektual dhe profesional, me njerëz të besës, profesionistë të fushave dhe familjarë të respektuar. Propaganda ekstreme majtiste dhe fushata linçuese që bëhej ndaj LDK’së në nivel qendror kishte efektet e saj e njëri isha edhe unë. Nuk pranova që ti nënshtrohem diktatit të atij apo të asaj, që donin nënshtrimin, dëmtimin dhe shkatërrimin e LDK’së”, ka deklaruar Veliu.

Sipas tij nuk është hera e parë që dikush e ka goditur LDK’në nga brenda.

“Nuk është hera e parë që LDK’ja është goditur nga brenda. E hanin bukën e shtëpisë dhe e bënin argatin e kojshisë. Të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë rrugë, kanë mbetur në hirin e historisë. Kështu do të ndodh edhe në të ardhmen. Hiri i historisë dhe i harresës politike do ti mbulojë edhe ata që sot duan ta shohin këtë vend drejt humnerës duke proklamuar politika majtiste e marksiste”, ka thënë Veliu

Veliu ndër të tjera lavdëroi Hotin për punën e bërë sa ishte në krye të Qeverisë.

“LDK’ja ka kandidatin më të mirë për kryeministër, z.Avdullah Hoti, një figurë e pastër, profesionale, ekspertë eminent i ekonomisë, me përvojë të gjatë në institucione dhe i pranueshëm në të gjitha kancelaritë perëndimore. Kur z.Hoti erdhi në krye të Qeverisë Kosova i vuante pasojat e sanksioneve amerikane për shkak të politikave armiqësore ndaj perëndimit që ndiqte kryetari i Vetëvendosjes”, ka thënë Veliu. 

(Kosova Sot Online)