Qeveria autorizon Klinikën e Ortopedisë që të furnizohet me proteza për nevojat e invalidëve të UÇK’së

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 11:08
Qeveria autorizon Klinikën e Ortopedisë që të furnizohet me proteza për nevojat e invalidëve të UÇK’së

Qeveria e Kosovës ka marrë sot disa vendime.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se kanë autorizuar Klinikën e Ortopedisë në SHSKUK që të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve tjera për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK’së.

Në QKUK vazhdimisht ka pasur probleme me furnizim, andaj edhe ata që kanë pasur nevojë për proteza, ka ndodhur të presin edhe me vite që t’i marrin ato në këtë klinikë.

Ndërsa, Hoti ka thënë se këto shpenzime tani do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Njoftimi i plotë:

Qeveria në detyrë vazhdon të kryej me përkushtim detyrat që burojnë nga mandati i sajë. Në takimin online Qeveria në detyrë ka marrë një sërë vendimet midis tyre:

·         10 mijë euro janë ndarë për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuare nga vërshimet në Mal të Zi.

·         Me 200 mijë euro  do të ndihmohet Komuna e Bujanocit për sanimin e dëmeve nga vërshimet.

·         Qeveria ka ndarë 12 milion euro për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për subvencione dhe transfere.

·         Qeveria ka autorizuar Klinikën e  Ortopedisë në SHSKUK që në koordinim me MPMS-në dhe me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK-së. Të gjitha shpenzimet për realizimin e këtyre shërbimeve do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

(Kosova Sot Online)