U dënua me 15 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes, protestohet para Gjykatës në Prizren

  • E.K /
  • 08 February 2021 - 12:57
U dënua me 15 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes, protestohet para Gjykatës në Prizren

Me pankartat në duar “Drejtësi për gratë e vrara”, “Drejtësi për Hatije Dinën”, “Vrasja e grave është politike”, “Gjykatë është vrasje jo lëndim i rënde trupor”, Organizata për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur ka mbajtur protestë sot para Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Kjo organizata ka kundërshtuar dënimin me 15 vite burgim për Ilir Haxhiajn, i cili akuzohet se në vitin 2019 e rrahu bashkëshorten e tij, Hatije Dinën e cila vdiq më vonë pas lëndimeve të marra.

Njëra nga organizatoret e kësaj proteste para mediave tha se po protestojnë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Ajo tha se vendimi i gjykatës është i padrejtë.

“Sot jemi mbledhur për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, për dënim me 15 vite burgim për Ilir Haxhiajn i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau gruan e tij, Hatije Dinën, vendim ky të cilin e gjykojmë si të padrejtë”, ka thënë protestuesja.

Ajo tutje ka thënë se në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, ky veprim cilësohet si lëndim i lehtë trupor, dhe se kjo është dhunë e institucionalizuar.

(Kosova Sot Online)