Hakeri përpiqet ta helmojë ujin e pijshëm, mund të shkaktonte helmim masiv

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 09:00
Hakeri përpiqet ta helmojë ujin e pijshëm, mund të shkaktonte helmim masiv

Autoritetet lokale dhe federale në Shtetet e Bashkuara janë duke hetuar se si një hakter arriti të fitonte qasje nga distanca në fabrikën për trajtimin e ujit në Florida. Përpjekja e tij e pasuksesshme do të mund të rezultonte në helmim masiv të popullsisë.

Një haker i panjohur arriti që të infiltrojë një kompjuter në sistemin e trajtimit të ujit në qytetin Oldsmar dhe për pak kohë e rriti nivelin e hidroksidit të natriumit, tha komandanti i policisë rajonale, Bob Gualtier.

Kjo substancë kimike përdoret në sasi të vogël për ta kontrolluar aciditetin e ujit, por është gjithashtu përbërës gërryes në lëndët për pastrimin e shtëpisë. Kur përdoret në sasi të madhe, hidroksidi i natriumit mund të shkaktojë irritim, të djegura dhe ndërlikime të tjera.

Një mbikëqyrës i kujdesshëm vërejti se matjet e kësaj substance në ekranin e kompjuterit të tij ishin duke ndryshuar me të madhe dhe ndërhyri shpejt për ta bllokuar këtë veprim, duke bërë që uji i pijshëm të mbetej i paprekur, shkruan gazeta lokale “Tampa Bay Times”.

Hakimi ndodhi të premten dhe i dyshuari i panjohur arriti që të hynte në sistemin kompjuterik për ta rritur nivelin e hidroksidit të natriumit nga 100 grimca për milion në 11.100 grimca për milion, tha zyrtari policor.

Fabrika për trajtimin e ujit që ishte cak i këtij sulmi kibernetik ofron ujë për biznese dhe rreth 15.000 banorë. Me rastin tashmë janë duke u marrë edhe FBI-ja dhe Shërbimi Sekret.

(Kosova Sot Online)