Tubimet e partive politike gjatë fushatës, reagon Avokati i Popullit

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 09:53
Tubimet e partive politike gjatë fushatës, reagon Avokati i Popullit

Avokati i Popullit përmes një komunikate për media ka shfaqur shqetësimin e tij lidhur me zbatimin selektiv të masave të qeverisë për parandalimin e pandemisë COVID-19, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme 2021.

Në një njoftim për media, nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se kanë vërejtur se që nga fillimi i fushatës parazgjedhore nuk janë respektuar masat anti -covid nga ana e partive politike ndërsa në anën tjetër institucionet që kanë për obligim t’i zbatojnë këto masa nuk kanë reaguar.

“Ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të tolerohet dhe cenon barazinë e qytetarëve para ligjit. Përveç kësaj, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij për rrezikimin e jetëve të qytetarëve për mos respektim të masave.  Avokati i Popullit edhe njëherë rithekson obligimin që kanë të gjitha institucionet dhe partitë politike që të respektojnë masat për parandalimin e pandemisë ndërsa fton autoritetet kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete për respektimin e këtyre masave nga subjektet politike”, ka thënë ai.

“Avokati i Popullit bazuar në ankesat që ka pranuar nga qytetarët që ndërlidhen me procesin zgjedhor e që kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga ëeb faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mos përfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi përmes emailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Po ashtu, kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së ti shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar.

Për krejt këto shqetësime e me qëllim të përmbushjes së mandatit kushtetues, Avokati i Popullit është mobilizuar që të monitorojë procesin zgjedhor dhe me këtë rast njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se zyra kryesore dhe ato rajonale do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve ku do të pranohen ankesat në rast të parregullsive që cenojnë të drejtën e votës së lirë.

Zgjedhjet janë të rëndësishme për vendin prandaj është në interes të të gjithëve që këto zgjedhje të jenë të lira e demokratike“, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)