E çuditshme: Kina shënon shkallën më të ulët të shtimit natyror që nga viti 1949

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 10:58
E çuditshme: Kina shënon shkallën më të ulët të shtimit natyror që nga viti 1949

Numri i foshnjave të lindura në Kinë vitin e kaluar shënoi rënie për 15 për qind, duke shkaktuar shqetësime për zvogëlimin drastik të shtimit natyror në vendin me popullsinë më të madhe në botë.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Sigurisë Publike, në vitin 2020 në Kinë u regjistruan pak më shumë se 10 milionë foshnja të lindura, në krahasim me 11.79 milionë në vitin 2019. Ky lajm vjen në kohën kur Kina vitin e kaluar shënoi shtimin më të ulët natyror që nga viti 1949.

Çështja demografike në Kinë mund të shkaktojë probleme serioze për ekonominë e dytë më të madhe në botë kur klasa punëtore e tanishme ta arrijë moshën e pensionimit. Ekspertët janë të shqetësuar se nëse vazhdon kjo dukuri ose nëse popullsia fillon të tkurret, Kina mund të bëhet me popullsi të moshuar para se të bëhet vend i pasur.

Në bazë të të dhënave më të reja nga Byroja Kombëtare e Statistikave, vitin e kaluar në Kinë kanë qenë 250 milionë njerëz mbi moshën 60-vjeçare apo rreth 18 për qind e popullsisë, shkruan CNN.

Përderisa ndryshimet demografike të Kinës janë ende asgjë në krahasim me vendet fqinje, si Japonia dhe Koreja Jugore, ku popullsia tashmë po tkurret, ato paraqesin probleme të mundshme në të ardhmen, sidomos pasi gjenerata “me një fëmijë” të plaket.

Në fuqi nga viti 1979 deri më 2015, politika “me një fëmijë” i detyroi shumicën e çifteve që të kenë vetëm një fëmijë si pjesë e përpjekjeve për ta kontrolluar rritjen e shpejtë të popullsisë në kohën kur shteti komunist ishte ende duke u zhvilluar.

(Kosova Sot Online)