Administrata e Joe Bidenit do ta kërkojë dorëheqjen e prokurorëve të caktuar nga Trumpi

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 11:51
Administrata e Joe Bidenit do ta kërkojë dorëheqjen e prokurorëve të caktuar nga Trumpi

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara pritet që të martën të kërkojë nga prokurorët e emëruar nga ish-presidenti Trump që t’i dorëzojnë dorëheqjet.

Nga kjo kërkesë pritet të kursehen prokurorët që janë duke hetuar dy çështje të ndjeshme: hetimet rreth taksave të djalit të Bidenit, Hunter, dhe hetimet rreth raportit të Trumpit me Rusinë, shkruan CNN.

Kërkesa për ta paraqitur dorëheqjen mendohet se do t’u dërgohet 56 prokurorëve, të cilët janë emëruar nga Trumpi dhe janë konfirmuar në pozitat e tyre nga Senati.

Zyrtarët e drejtësisë kanë caktuar telefonata me prokurorët në mbarë vendin për të diskutuar rreth një periudhe kalimtare që pritet të zgjasë disa javë. Zyrtarët nuk treguan se kur do të hyjnë në fuqi dorëheqjet.

Ndërrimi i prokurorëve është çështje rutinore, por shpesh përcillet me tone politike. Në vitin 2017, prokurori i përgjithshëm në atë kohë, Jeff Sessions, kërkoi nga 46 prokurorë të emëruar nga Obama që t’i dorëzonin dorëheqjet. Disa prej tyre u lejuan të qëndrojnë, por shumica u detyruan të largohen menjëherë.

Mungesa e besimit në zyrtarët ligjorë të caktuar nga Trumpi bëri që administrata e Bidenit të caktojë një zyrtar të Departamentit të Drejtësisë si ushtrues detyre i prokurorit të përgjithshëm derisa Senati ta konfirmojë në këtë pozitë të nominuarin e Bidenit, Merrick Garland.

(Kosova Sot Online)