Shamitë e kuqe nëpër qytet, Haki Abazi thotë se janë simbol i dashurisë

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 12:52
Shamitë e kuqe nëpër qytet, Haki Abazi thotë se janë simbol i dashurisë

Tash e sa ditë, rrugët e kryeqytetit janë mbushur me disa shamia të kuqe të cilat janë lidhur nëpër drunjë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. E për kuptimin e këtyre shamiave ka folur kandidati për deputet nga kjo parti, Haki Abazi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abazi ka thënë se këto shamia janë simbol i dashurisë.

“E kuqja është ngjyra e gjakut, e flamurit dhe ngjyra e trëndafilit të dashurisë! Me 14 shkurt këto të gjitha bëhen bashkë, realizojmë amanetin e gjakut të derdhur, respektojmë flamurin kombëtar para të cilit janë betuar me gjenerata për liri e bashkim, dhe dhurojmë shumë dashuri për njëri tjetrin, dhurojmë shumë ngrohtësi dhe bashkë me ngjyrën e kuqe, me fjongon e kuqe, e të bashkuar shkojmë drejt kutive të votimit…”, ka shkruar Abazi.

Ndryshe, për vendosjen e këtyre shiritave, nuk kanë qenë në dijeni as Komuna e Prishtinës dhe as Policia e Kosovës.

Por, në rrjetet sociale është postuar një foto nga disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë treguar se shiritat janë vendosur nga ta.

“Me vullnetarët e Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, duke stolisur qytetin për festën e madhe”, thuhet në postimin e tyre.

(Kosova Sot Online)