Hetuesit e OBSh-së: Shumë pak gjasa që virusi të ketë rrjedhur nga laboratori i Wuhanit

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 13:22
Hetuesit e OBSh-së: Shumë pak gjasa që virusi të ketë rrjedhur nga laboratori i Wuhanit

Shkencëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që po e hulumtojnë prejardhjen e koronavirusit të ri në Kinë kanë thënë se ka skajshmërisht pak gjasa që virusi të ketë rrjedhur nga laboratori në Wuhan dhe bënë thirrje që të mos ketë më studime rreth kësaj teorie.

Peter Embarek, udhëheqës i ekipit të OBSh-së, Peter Embarek, tha se studimet e ardhshme duhet të bëhen rreth asaj se a ka hyrë virusi nga jashtë, me gjasë nga mishi i ngrirë që është shitur në një treg të Wuanit, aty ku u regjistruan rastet e para.

Ai gjithashtu i përkrahi pretendimet e Pekinit se nuk ka dëshmi të përhapjes së virusit në Wuhan apo diku tjetër në Kinë para dhjetorit të vitit 2019, pavarësisht dëshmive të shumta se virusi ka qenë duke qarkulluar në nivel botëror disa muaj para dhjetorit të atij viti.

Duke i theksuar të gjeturat e hulumtimit të ekipit të tij, Dr. Embarek tha se ekipi ka dështuar që të zbulojë se nga ka ardhur koronavirusi i ri ose si ka kaluar për herë të parë te njeriu, shkruan Daily Mail.

Shkencëtarët arritën në përfundim se sqarimi më i mundshëm është që virusi fillimisht ka kaluar nga kafsha nikoqire në një kafshë tjetër, e cila ka kontakte të ngushta me njerëzit. Këtu mund të përfshihet edhe mishi i ngrirë i  kafshëve që është shitur në Wuhan, përfshirë mishin e importuar, shtoi ai.

Sipas tij, njerëzit dhe lakuriqët nuk kanë kontakte të ngushta në Wuhan. Ai bëri thirrje për më shumë hulumtime rreth këtyre teorive dhe për mundësinë që produktet e kafshëve ta kenë bartur virusin.

(Kosova Sot Online)