Draft Rregullorja për sinjalizuesit pritet të procedohet në Qeveri

  • E.K /
  • 10 February 2021 - 11:39
Draft Rregullorja për sinjalizuesit pritet të procedohet në Qeveri

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar se shumë shpejt do të procedohet në Qeveri draft-rregullorja për trajtimin e rasteve të Sinjalizimit.

Selimi ka thënë se kjo rregullore është një mjet shtesë për të luftuar korrupsionin e lartë në institucione.

” Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka përcaktuar një standard të ri të mbrojtjes së sinjalizuesve dhe është një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e interesit publik, duke mundësuar raportimin e çdo parregullësie apo shkeljeje për të cilën vihen zyrtarët në dijeni gjatë ushtrimit të detyrës”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Shkrimi i tij i plotë:

I lumtur që Draft Rregullorja për pranimin dhe trajtimin e rasteve të Sinjalizimit shumë shpejt do të procedohet për miratim në Qeveri. Kjo është edhe një prej mjeteve të shumta për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë nëpër institucione.

Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka përcaktuar një standard të ri të mbrojtjes së sinjalizuesve dhe është një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e interesit publik, duke mundësuar raportimin e çdo parregullësie apo shkeljeje për të cilën vihen zyrtarët në dijeni gjatë ushtrimit të detyrës.

Por, Ligji si i vetëm nuk mund të përcaktojë të gjitha çështjet procedurale dhe teknike. Risitë e këtij ligji do të mund të vihen në zbatim me miratimin e Rregullores për pranimin dhe trajtimin e rasteve të Sinjalizimit, miratimi i së cilës avancon sundimin e ligjit, përafron legjislacionin vendor me atë të BE-së dhe kompleton infrastrukturën ligjore në trajtimin e rasteve të sinjalizimit.

Mirënjohës grupit punues për punën e palodhshme në hartimin e kësaj rregulloreje.

(Kosova Sot Online)