Eksperti amerikan: Ky do të jetë fituesi i zgjedhjeve në Kosovë

  • G.G /
  • 12 February 2021 - 10:09
Eksperti amerikan: Ky do të jetë fituesi i zgjedhjeve në Kosovë

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë shumicën e votave në zgjedhjet e reja.

Ben-Meir ka thënë se populli ka aspirata për ndryshim në Kosovë.

“Bazuar në informacionin që kemi dhe duke marrë parasysh aspiratën e popullit për ndryshim, unë mendoj se Vetëvendosje mund të mbledhë shumicën e votave”, është shprehur eksperti amerikan.

Ai ka komentuar edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ia ka ndaluar Albin Kurtit kandidimin për deputet. Sipas tij, Kurti duhet të ankohet për këtë vendim.

“Unë gjithashtu besoj se Albin Kurti duhet të apelojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, veçanërisht për shkak se ai më parë shërbeu si kryeministër kur ende ishte e ndaluar (për shkak të dënimit me kusht me burg) të kandidonte për postin e kryeministrit”, ka thënë më tej Alon Ben-Meir.

Eksperti amerikan ka hedhur dyshime se kundër liderit të Vetëvendosjes po punojnë forca politike.

“Kam një ndjenjë se ka forca politike që po punojnë kundër tij. Në analizën përfundimtare, publiku duhet të ketë fjalën e fundit”, ka theksuar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen të dielën (më 14 shkurt).

(Kosova Sot Online)