Deputetët turq për senatorët amerikanë: Përpjekjet tuaja armiqësore do të dështojnë

  • G.G /
  • 12 February 2021 - 10:31
Deputetët turq për senatorët amerikanë: Përpjekjet tuaja armiqësore do të dështojnë

Një grup i deputetëve turq e kanë kritikuar letrën e nënshkruar nga 54 senatorë amerikanë e që iu dërgua presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, me të cilën kërkuan trysni ndaj Turqisë.

“Letra është shembulli më i ri i përpjekjeve armiqësore kundër Turqisë, të cilat janë të dënuara të dështojnë dhe janë në shpërputhje me shpirtin e aleancës”, thuhet në letrën e 87 deputetëve turq, të gjithë anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë ShBA – Turqi, shkruan Anadolu.

“Dyshimet e pabaza dhe të papërgjegjshme të senatorëve nënshkrues, që kanë cak politikën tonë të brendshme e të jashtme, nuk përputhen në asnjë mënyrë me bashkëpunimin tonë strategjik me ShBA-në dhe as me aleancën tonë në NATO”, thuhet më tej në letrën e deputetëve turq.

“Është befasi që në mesin e aleatëve dhe miqve tanë është një grup politikanësh që ende nuk pranojnë se që nga themelimi, Republika e Turqisë është dhe gjithmonë ka qenë shtet modern, demokratik, plotësisht i pavarur, i mbështetur në sundimin e ligjit, që sigurohet se vullneti i popullit gjithmonë të ngadhënjejë pa kushte, pa diskriminim ndaj qytetarëve të saj në bazë të racës apo ngjyrës”, thanë deputetët turq.

Në anën tjetër, në letrën e senatorëve amerikanë, të shkruar nga demokrati Ron Wyden dhe republikani Marco Rubio, që iu dërgua para pak ditëve presidentit Biden, thuhet se presidenti turk, Rexhep Erdogan, po e çon vendin në rrugën e autoritarizmit dhe e ka margjinalizuar opozitën e ua ka mbyllur gojën medieve kritikuese.

Raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë viteve të fundit kanë qenë mjaft të tensionuara. ShBA-ja i ka vendosur sanksione Turqisë për shkak të blerjes së sistemit rus për mbrojtje ajrore, S-400, ndërsa Turqisë i ka mbetur hatri pse autoritetet amerikane nuk po ia dorëzojnë klerikun Fetullah Gylen, të cilin Erdogani e akuzon për organizimin e puçit të dështuar të vitit 2016.

(Kosova Sot Online)