Meliza Haradinaj-Stublla: Mos u besoni sondazheve, dilni masovikisht në votime

  • E.K /
  • 14 February 2021 - 15:49
Meliza Haradinaj-Stublla: Mos u besoni sondazheve, dilni masovikisht në votime

Anëtarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Meliza Haradinaj Stublla, ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit si dhe diasporës që të dalin për të votuar.

 ‘Tani kur kanë mbetur më pak se 5 orë kohë deri në mbylljen e vendvotimeve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ju fton që të dilni masovikisht në votime.  Vendosni për të ardhmen e këtij vendi. Duke dalë në numër të madh, i jepni kuptim këtyre zgjedhjeve’, u shpreh ajo.

Po ashtu, ajo foli edhe për sondazhet apo exit polle që janë realizuar së fundmi.

Ajo tha se rezultati i vetëm i vlefshëm është numërimi i votave.

‘Sot të gjithë ne hedhim votën vendimtare për shumë procese të rëndësishme me të cilat do të ballafaqohemi si Kosovë. Bashkë duke e sfiduar motin e ftohët e duke e shijuar natyrën e bukur me borë ne duhet ta sfidojmë edhe Serbinë përmes votës sonë. Nga këto zgjedhje duhet të dalë një Qeveri stabile e afatgjate, një Kuvend me mandatë të plotë dhe një President i qëndrueshëm e para se gjithash unifikues, që i garantojnë bashkë Kosovës integritetin territorial, rendin aktual kushtetues, dhe karakterin unitar të saj. Por po ashtu edhe zhvillimin e gjithëmbarshëm dhe rrugëtimin ndërkombëtar për anëtarësimin në NATO, dhe njohje universale me miq e aleate të vjetër e të ri’, tha Haradinaj-Stublla.

Ajo ndër të tjera tha se procesi zgjedhor është duke shkuar mirë.

‘Nga informatat qe po pranojmë vazhdimisht nga terreni dhe shtabet tona komunale anembanë Kosovës, bëjmë të ditur se procesi po shkon mirë, pa incidente madhore, por shifrat e deritanishme të daljes në votime nuk janë të kënaqshme, ku janë më pas se 20 për qind.

Krejt në fund Haradinaj Stublla, i bëri thirrje edhe diasporës që të dalin të votojnë.

‘Ju bëjë thirrje të gjithëve pa dallim, përfshirë diasporën tonë te dashur, që kanë marrë rrugë prej larg, që me kujdes të shtuar për shkak të kushteve te vështira atmosferike por me vendosmëri të madhe të dalin dhe të bëhen pjesë e këtij procesi demokratik për të gjithë ne. Vota jonë përveç që është besim i shenjtë, është edhe vendim për të ardhmen tonë nesër’, përfundoi ajo.

(Kosova Sot Online)