Pasi urdhëron birrarinë që të mbyllet, inspektorja fillon të vallëzojë

  • E.K /
  • 16 February 2021 - 13:53
Pasi urdhëron birrarinë që të mbyllet, inspektorja fillon të vallëzojë

Pronari i një birrarie në Los Angeles i tha televizionit Fox News se nga kamerat e sigurisë shihet inspektorja shëndetësore që fillon të vallëzojë pasi i thotë punëtorit se lokali duhet të mbyllet.

Bart Avery, një nga pronarët e birrarisë “Bravery Brewery”, tha se inspektorja ishte në lokal rreth orës 11 të dielën. Ajo u tha punëtorëve se birraria është duke i shkelur udhëzimet e autoriteteve rajonale, sepse nuk kishte kamion për ushqim dhe duhej të mbyllej.

Sipas pronarit, inspektorja nuk pati të drejtë dhe se birraria kishte të drejtë të qëndronte e hapur. Ajo në fund pranoi se pati keqkuptim dhe se biznesi mund ta vazhdojë punën. Mbikëqyrësit e inspektores madje të nesërmen telefonuan për të kërkuar falje, tha ai.

Ai nuk e di pse inspektorja shihet në kamerat e sigurisë duke vallëzuar, por thotë se është i irrituar nga sjellja e saj. Inspektorja sapo e kishte informuar një punëtor se mund të mbetet pa punë, tha pronari. Duke marrë parasysh sa dhimbje ka shkaktuar izolimi ndaj pronarëve të bizneseve të vogla, vallëzimi i saj ishte shokues, thotë Avery.

(Kosova Sot Online)