Isa Mustafa kujton Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin në 13-vjetorin e pavarësisë

  • E.K /
  • 17 February 2021 - 09:41
Isa Mustafa kujton Ibrahim Rugovën dhe Adem Jasharin në 13-vjetorin e pavarësisë

Kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar qytetarët në 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Mustafa ka thënë se shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë me të re të Kosovës.

“Rruga deri të pavarësia ishte një rrugë me sakrifica dhe mund i një populli të tërë të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për ta çliruar shtetin  Projektues i pavarësisë dhe i themelimit të shtetit të Kosovës është arkitekti i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Ai me vizionin e tij properëndimor fitoj mbështetjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare sidomos nga SHBA-të që ta përkrahin Kosovën në arritjen e lirisë, krijimin e shtetit dhe po vazhdojnë në konsolidimin e tij”, ka thënë ai.

“U jemi mirënjohës përjetësisht Familjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në përpjekjet e tyre të pareshtura për liri, çlirim dhe shtetndërtim”, thotë ai.

Kreu i LDK-së ka thënë se në këtë 13 vjetor Kosova ka arritur shumë suksese pavarësisht rrethanave sfiduese që i ka hasur gjatë rrugëtimit të saj gjatë këtyre viteve.

“Rruga e vetme për ta bërë Kosovën shtet të anëtarësuar në BE, NATO dhe OKB, është puna e zellshme në përmbushjen e detyrimeve si shtet si në aspektin e brendshëm, zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit si dhe ruajtjen e partneritetit më SHBA-të, ngase pa ndihmën e tyre sot nuk do festonim çlirimin. LDK-ja mbetet e përkushtuar që ta ruaj dhe konsolidoj shtetin tonë ngase kjo Republikë është projekt i ynë i përhershëm. Urime, 17 shkurti, Dita e Pavarësisë!”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)