TERMETI ELEKTORAL GODITI KOKAT E KRIMIT TË ORGANIZUAR!

TERMETI ELEKTORAL GODITI KOKAT E KRIMIT TË ORGANIZUAR!

Gani Qarri

  • 17 February 2021 - 07:40

Shkruan: Gani Qarri

Kjo goditje e madhe elektorale e 14 shkurtit, nuk guxon të ndalojë vetëm këtu, dhe as të kursej partitë tjera të inkriminuara, por të bëhet shembull veprimi dhe zgjerohet e te vazhdoj të shërbejë për fillimin e dekriminalizimit të plotë e te vërtetë të politikës mbarë-kosovare të super-kriminalizuar!

-Tërmeti elektoral që ndodhi në zgjedhjet e fundit e goditi si asnjëherë më parë dhe mu në kokë krimin e organizuar, si dhe politikën mafioze, që tash e mbi 13 vite ka kapur të gjitha poret e shtetit dhe sundon në mënyrë arbitrare çdo gjë në këtë vend. Këto zgjedhje ishin një revolucion më vete që përfundimisht çliruan shtetin e kapur të Kosovës nga mafia politike, okupimi i krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale, nga ata që plaçkiten, vodhën e përvetësuan me forcë çdo gjë të vlershme të këtij vendi për vete, bashkë familjarët dhe pjesëtarët e besueshëm të klaneve të tyre mafioze.

Ndaj me formimin e Qeverisë së re legjitime, të gjithë qytetarët e vendit dhe votuesit e devotshëm që me votën e tyre mundësuan këto ndryshime të shumëpritura mbi dy dekadëshe, nuk duhet të ndalen por të marshojnë drejtë çmontimit komplet të partive të inkriminuara, nëntokës kriminale dhe rrjeteve mafioze, si kapëset kryesore, zhvatëset e shtetit dhe sundueset arbitrare të vendit për 20 vite me radhë.

Partitë e inkriminuara dhe udhëheqësit mafioz të tyre, duhet tani ta përjetojnë edhe tërmetin e dytë akoma më të fuqishëm, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, pasi që rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, sapo i rrënoi piramidat kryesore kriminale të të gjitha bastioneve mafioze politike që i mbanin me forcë pushtetarët dhe uzurpatorët e deritashëm të shtetit. Madje këto zgjedhje dëshmuan përfundimisht, se qytetari i Kosovës është vetëdijesuar dhe fuqizuar deri në atë masë, sa që sot është në gjendje, jo vetëm për të gjykuar, por edhe për të ndëshkuar, si dhe ndikuar drejtpërsëdrejti në ndryshimin e gjendjes në vend dhe spastrimin e skenës politike nga lidhjet ilegale me krimin e organizuar. Për aq më tepër, votuesi i Kosovës dhe forcat progresive të këtij vendi, tanimë duhet të gjejnë fuqi, kurajo dhe guxim që grupet reformatore te heshtura deri më tani brenda partive politike si brenda LDK-s, ashtu edhe brenda në PDK, të ndrydhura për kohë të gjatë nga këto parti të inkriminuara, ta shfrytëzojnë në mënyrën e duhur më pozitive këtë goditje kaq të fortë të kupolës së krimit të organizuar të mirëseardhur, mu në kohën e duhur nga alektorati vendor, për t’i rirreshtuar dhe reformuar edhe radhët partiake, duke u hapur veçanërisht për brezin e ri e të pa korruptuar.

Për një brez të ri e të pa shantazhuar, në mënyrë që edhe konkurrenca e spektrit politik të rifreskohet dhe bëhet më serioze, me alternativa të njëmendta programore për qytetarin, për të quar përpara procesin e mbetur në gjysmë të rrugës, të shtet ndërtimit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit, dhe tu epet fund mashtrimeve elektorale me propagandë politike nën ombrellën tashmë të tej konsumuar "patriotike" që përveçse është tërësisht fallse, as nuk i shkon dhe përshtatet më sensit të mashtrimit mbi dydekadësh të partive të krimit, të cilat, pa fije turpi, po përpiqen ta përdorin edhe ndaj gjeneratave të reja.

Madje përderisa në PDK ende sikur vazhdojnë të bëjnë “analiza” të situatës së krijuar, në LDK, tanimë sapo ka pëlcitur bomba e vonuar, por e shumëpritur ndër vite, me dorëzimin e plotë dhe dorëheqjen publike të kryetarit komunisto-nostalgjik Isa Mustafa, dorëheqje kjo që elektorati me votën e vet ua imponoi edhe anëtarëve tjerë të kryesisë së kalbur të këtij subjekti politik me dorëheqje kolektive të KRYESISË së vjetërsuar, para kuvendit të LDK-s për të shpallur zgjedhjet e reja aq të nevojshme brenda partiake.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".