Habit Joe Biden: Askush të mos shkojë në burg për përdorim droge

  • E.K /
  • 17 February 2021 - 10:34
Habit Joe Biden: Askush të mos shkojë në burg për përdorim droge

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, gjatë një tubimi i vuri në pah ndryshimet që synon t’i bëjë në sektorin e drejtësisë dhe policisë, përfshirë fondet për policët dhe ata që kapen me drogë.

I pyetur se si munden autoritetet e sundimit të ligjit t’i mbrojnë qytetarët në pjesët ku niveli i krimit është i lartë, Bideni u përgjigj: “Numër një, duke mos ia zbritur fondet policisë”, shkruan Reuters.

Disa demokratë bënë thirrje për rishikimin e fondeve të policisë pas vdekjes së amerikanit me ngjyrë, George Floyd, të cilit ia shtypi qafën me gju një polic gjatë arrestimit, duke ia zënë frymën.

Sidoqoftë, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se do të sigurojë më shumë fonde për policinë lokale. “Duhet të vendosim më shumë të holla që kjo të funksionojë dhe jemi në situatë ku mund ta ndryshojmë legjislacionin”, shtoi ai.

Gjatë fushatës, Bideni premtoi se do të investojë 300 milionë dollarë në një program që ofron grante për punësimin e zyrtarëve me më shumë diversitet dhe për t’i trajnuar ata që të kenë raporte më pak armiqësore me komunitetin.

Ai përsëriti edhe një premtim tjetër të fushatës, premtimin për t’i dhënë fund burgimit të njerëzve që kapen duke përdorur drogë e që nuk dyshohen për krime të tjera.

“Askush nuk duhet të shkojë në burg për një shkelje rreth drogës. Askush nuk duhet të shkojë në burg për përdorimin e një droge, ata duhet të shkojnë në qendrat për rehabilitim”, tha Bideni.

(Kosova Sot Online)