Emmanuel Makron: Vendeve të varfra t’u dërgohen 5 për qind e vaksinave

  • E.K /
  • 19 February 2021 - 09:54
Emmanuel Makron: Vendeve të varfra t’u dërgohen 5 për qind e vaksinave

Presidenti i Francës, Emanuel Makron, u ka bërë thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që urgjentisht t’i dërgojnë 5 për qind të vaksinave kundër koronavirusit te vendet në zhvillim.

Ai tha për gazetën Financial Times se dështimi për t’i shpërndarë vaksinat në mënyrë të drejtë do ta nguliste pabarazinë globale.

Deri më tani, shumica dërrmuese e dozave të vaksinës është siguruar nga nga shtetet me të ardhura të larta.

Makroni e paraqiti planin e tij për ta adresuar këtë çështje para samitit virtual të G7-s me liderët botërorë të premten.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, do të zotohet për dhurimin e 4 miliardë dollarëve për financimin e skemës botërore për shpërndarjen e vaksinave, të njohur si Covax.

Edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili do ta udhëheqë takimin, pritet që të ndajë doza shtesë për programin Covax.

Deri më tani, së paku njëqind e dhjetë milionë persona janë infektuar me virusin SARS-CoV-2 në mbarë botën dhe mbi 2.4 milionë kanë vdekur, shkruan BBC, 

(Kosova Sot Online)