Republikanët i kundërshtojnë sanksionet e reja të Bidenit kundër Rusisë

  • S.A /
  • 20 February 2021 - 09:17
Republikanët i kundërshtojnë sanksionet e reja të Bidenit kundër Rusisë

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione shtesë ndaj një anije ruse dhe pronarit të saj për punën në ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani, por ky veprim u kritikua menjëherë nga ligjvënësit e Partisë Republikanë, të cilën e cilësuan atë si jo të duhur.

Njoftimi për këto sanksione u bë i ditur në një raport të dorëzuar nga Departamenti i Shtetit në Kongres në mbrëmjen e së premtes, shkruan Free Europe.

Dy ligjvënës republikanë menjëherë e akuzuan administratën amerikane se ka dështuar që të vendosë sanksione kundër subjekteve shtesë dhe kërkuan sqarime se çfarë është duke bërë qeveria për ta kundërshtuar ndërtimin e gazsjellësit të ri mes Rusisë dhe Gjermanisë.

Republikani Michael McCaul nga Teksasi tha se shtimi i një shtrese të re të sanksioneve ndaj subjekteve që më parë kanë qenë të sanksionuara është tërësisht jo i duhur dhe se nuk e plotëson qëllimin e ligjvënësve për ndërprerjen e ndërtimit të gazsjellësit.

“Ta lejosh këtë gazsjellës që të përfundohet se ndërtuari nuk do të ishte asgjë më pak sesa një fitore për Vladimir Putinin”, tha republikani McCaul.

Një grup i ligjvënësve nga të dyja partitë amerikane të mërkurën i bëri thirrje qeverisë që ta informojë Kongresin për hapat që ka marrë për ta kundërshtuar ndërtimin e gazsjellësit, i cili besohet se tashmë 90 për qind ka përfunduar së ndërtuari.

(Kosova Sot Online )