Mjekja shqiptare në Gjermani: Të shmanget përdorimi pa kriter i antibiotikëve, pasojat ndihen më vonë

  • E.K /
  • 22 February 2021 - 10:05
Mjekja shqiptare në Gjermani: Të shmanget përdorimi pa kriter i antibiotikëve, pasojat ndihen më vonë

Mjekja interniste, Marseda Spiro në një lidhje Skype në “Abc-ja e mëngjesit” duke folur për situatën e pandemisë në Gjermani, u shpreh se kohët e fundit është vënë re një rritje e numrit të moshave të reja në repartin intensiv.

“Ajo çfarë është vënë re është që preken dhe moshat e reja, shtrohen në pavionin intensiv grupmosha 40-50 vjeç pa asnjë sëmundje shoqëruese. Vdekshmëria është më e ulët duke qenë se janë mosha të reja dhe nuk kanë sëmundje shoqëruese e përballojnë më me sukses se moshat e mëdhaja”, tha ajo.

Gjatë bisedës duke folur për mënyrën e trajtimit të infeksionit në vendin tonë , mjekja u shpreh kundër përdorimit të shumtë të antibiotikëve. “Kam ndjekur shumë raste të familjareve të mi në Shqipëri dhe mendimi im personal është që format e lehta të prekjes mbase nga ankthi apo nga çfarë dëgjojnë ekzagjerohet pak në mjekimin me antibiotikë dhe holluesit e gjakut. Sikundër nga ana tjetër jam kundër dhe mënyrës së diagnostikimit.

Shumë persona mendojnë se në format e lehta, në mosha të reja ndodh që bëjnë skaner duke patur thjesht një temperaturë. Problemi është që efektet e këtyre metodave të trajtimit të dhënies pa kriter të antibiotikëve do të na duhet të përballemi më vonë, sepse krijon rezistencë në trup dhe kur të na duhet duhen në të vërtetë.”, shtoi ndër të tjera mjekja.

(Kosova Sot Online)