Dezertori 6 orë u end nëpër kufirin mes dy Koreve, askush nuk e vërejti

  • E.K /
  • 24 February 2021 - 09:14
Dezertori 6 orë u end nëpër kufirin mes dy Koreve, askush nuk e vërejti

Ushtria e Koresë Jugore është duke u përballur me kritika për lëshimet që ka bërë përgjatë kufirit “të hekurt” me Korenë Veriore, pasi një burrë ia doli të hynte në territorin e saj pavarësisht se ishte kapur disa herë nga kamerat e sigurisë.

Raportohet se ky burrë hyri duke notuar në territorin e Koresë Jugore në orët e hershme të 16 shkurtit, por iu shmang kapjes nga autoritetet për më shumë se gjashtë orë, shkruan The Guardian.

Pasi arriti në bregdetin e Koresë Jugore përmes Detit Lindor, raportohet se ky person u fut në një tunel të ujërave të zeza në zonën e çarmatosur, i fshehu rrobat dhe eci i pavërejtur nëpër një rrugë për pesë kilometra.

Ai u ndalua më në fund pasi një rojë kufitare e pa përmes kamerave të sigurisë dhe i njoftoi mbikëqyrësit. Deri në kohën e arrestimit, personi ishte kapur pesë herë nga kamerat. Kamerat dy herë aktivizuan alarm, por ushtarët dështuan që ta vërenin këtë dhe nuk morën masa.

Burria ia arriti ta vazhdonte ecjen, sepse tri kamera në rrethojën kufitare nuk e aktivizuan alarmin.

Sipas një hulumtimi rreth këtij incidenti, një rojë që e kishte për detyrë përcjelljen e pajisjeve për vëzhgim bregdetar ishte duke e rregulluar një problem kompjuterik, prandaj mendoi se alarmet e kamerave janë gabime teknike, ndërsa një rojë tjetër në një pikë kontrolluese ushtarake ishte habitur nga një telefonatë.

(Kosova Sot Online)