Mjeku i patrajnuar ua jep dy pleqve katërfishin e dozës për Covid-19

  • E.K /
  • 24 February 2021 - 11:00
Mjeku i patrajnuar ua jep dy pleqve katërfishin e dozës për Covid-19

Një mjek që ua dha dy personave të moshuar katërfishin e dozës së rekomanduar të vaksinës kundër Covid-19 nuk është trajnuar si ta japë vaksinën e re dhe nuk ka qenë i përfshirë në programin e vaksinimit.

Një gruaje 94-vjeçare dhe një burri 88-vjeçar iu dha katërfishi i dozës së rekomanduar të martën në Australi, në ditën e dytë të programit të vaksinimit, shkruan Daily Mail.

Personat që morën dozë të tepruar janë banorë të një qendre kujdesi në Brisbane. Për fat të mirë, ata nuk përjetuan efekte negative, por gjendja e tyre është duke u vëzhguar në spital.

Ministri i Shëndetësisë, Greg Hunt, të mërkurën në mëngjes tha se mjeku në fjalë është regjistruar dhe e ka kryer trajnimin e kërkuar që është mbajtur nga Bordi Australian i Infermierisë.

Megjithatë, ai më vonë tha në kuvend se kompania e kontraktuar nga qeveria federale për vaksinim në qendrat e kujdesit për personat e moshuar e kanë informuar se mjeku nuk është trajnuar.

“Kam kërkuar nga departamenti që të marrë masa kundër kompanisë dhe mjekut për atë që është shkelje e qartë në të dyja frontet”, shtoi ministri.

Ministri u kërkoi falje familjeve të pacientëve të moshuar për këtë lëshim dhe tha se rasti është duke u hetuar.

(Kosova Sot Online)