“Dëbimi i 6 gulenistëve”: Ngritët aktakuzë ndaj ish-shefit të AKI’së Driton Gashi dhe dy të tjerëve

  • A.P /
  • 24 February 2021 - 23:41
“Dëbimi i 6 gulenistëve”: Ngritët aktakuzë ndaj ish-shefit të AKI’së Driton Gashi dhe dy të tjerëve

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme Valon Krasniqi dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në Policinë Kufitare, Rrahman Sylejmani, lidhur me depërtimin e gjashtë shtetasve turq në mars të vitit 2018.

Drejtori Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme Valon Krasniqi, ka thënë p se ende nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij.

“Njoftim nuk kam marrë, u informova që Prokuroria ka ngritë aktakuzë ndaj meje dhe dy zyrtarëve tjerë, njoftim zyrtar nuk kam. Nuk e di cilat janë pretendimet e Prokurorisë”, tha Krasniqi për Insajderin.

Megjithatë, ai theksoi se një herë është intervistuar nga Prokuroria për depërtimin e shtetasve turq.

“Unë një herë jam intervistuar për depërtimin e shtetasve turq nga ana e Prokurorisë dhe pa e parë vendimin nuk di çka të them. Mirëpo, përmes mediave jam informuar, më konkretisht nga Insajderi. Do të thotë njoftim zyrtar nuk kam, ajo që mund të them që një herë jam intervistuar për këtë rast prej që ka ndodhur ky rast dhe kemi bashkëpunuar me të gjitha isntitucionet, me prokurorinë, policinë, avokatin e popullit, i kemi dhënë sqarimet tona, sa na përket neve si departament”, theksoi ai.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se aktakuza është ngritur për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit D.G,(Driton Gashi) dhe V.K, (Valon Krasniqi) kanë veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, i pandehuri Rr.S, (Rrahman Sylejmani) ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)