Sa para kishin deklaruar në banka zyrtarët e arrestuar dje?

  • E.K /
  • 25 February 2021 - 11:02
Sa para kishin deklaruar në banka zyrtarët e arrestuar dje?

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë janë vënë në pranga pas një aksioni që ka zhvilluar dje Policia e Kosovës. Ata janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje/dhënie të ryshfetit. Pas bastisjeve në zyrat dhe shtëpitë e tyre janë gjetur gati gjysmë milioni euro. Por, a i kishin të deklaruar këto para zyrtarët në fjalë? Media u sjell detaje se sa pasuri kishin deklaruar dy prej të arrestuarve, në Agjencinë Kundër Korrupsionit. 

Një aksion që nisi mëngjesin e djeshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e që më pas vazhdoi edhe në tri lokacione të tjera, përfundoi me arrestimin e 10 zyrtarëve të shtetit dhe dy qytetarëve.

Ata janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje/dhënie të ryshfetit gjatë ndarjes së subvencioneve.

Pas arrestimit të tyre, Policia ka kryer bastisje në zyrat dhe vendbanimet e të dyshuarve, ku janë gjetur gati gjysmë milioni euro.

Paratë janë gjetur në dy lokacione në Gjilan e Batllavë, në këtë të fundit gruaja e të dyshuarit ka tentuar t’i fshehë.

Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Kundër Korrupsionit, Nazim Sahiti, në një bisedë për express tha se paratë janë gjetur nëpër dhoma dhe në tualet.

 “Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve, në Batllavë dhe Gjilan. Janë gjetur në dhomë, në tualet, një vend gruaja e të dyshuarit ka tentuar me i fsheh paratë, kjo e fundit ka ndodh në Batllavë”, konfirmoi Sahiti.

Por, a i kishin të deklaruara këto para në Agjencinë Kundër Korrupsionit zyrtarët e arrestuar?

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuha, si para të gatshme ka deklaruar se ka vetëm 200 euro.

Si pasuri të paluajtshme ka deklaruar një banesë në vlerë mbi 18 mijë euro, derisa te pasuritë e luajtshme, ka deklaruar një veturë “Fiat”, në vlerë 3 mijë euro e të cilën thotë ta ketë blerë me kredi.

Në deklarimin e pasurisë, ai kishte thënë se e ka edhe një kredi në vlerë 6 mijë e 500 euro, të cilën e kishte marr për mobilim të banesës.

Si të hyra vjetore, Nuha kishte deklaruar se ka marrë nga Ministria rreth 650 euro për nëntë muaj, derisa më vonë duket me ndërrimin e pozitës kishte marrë 1 mijë e 230 euro në muaj nga Ministria e Bujqësisë.

Edhe zyrtari tjetër i arrestuar i kësaj ministrie, Luan Statovci, ka deklaruar pak para të gatshme.

Statovci mbanë pozitën e zyrtarit për pagesa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR).

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, si para të gatshme nëpër institucione financiare, ai ka thënë se ka rreth 3 mijë e 200 euro në emër të tij, rreth 500 euro ka bashkëshortja dhe mbi nëntë mijë euro kanë fëmijët.

Ai ka deklaruar se ka në pronësi ka dy shtëpi në vlerë 300 mijë euro. Njërën që kushton 100 mijë euro thotë se e ka në pronësi të përbashkët, derisa tjetrën në vlerë 200 mijë euro e ka në pronësi të veten.

Përveç shtëpive, Statovci ka deklaruar edhe një tokë në vlerë 25 mijë euro, në pronësi të përbashkët.

Ai ka treguar edhe se kanë detyrime financiare. Bashkëshortja e tij ka deklaruar një kredi në vlerë 14 mijë euro, për blerjen e automobilit.

Si të hyra vjetore, Statovci ka deklaruar pagën që e merr nga Ministria e Bujqësisë në vlerë gati 600 euro. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar tri paga. Dy nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe një nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ndryshe, zyrtarët e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përveç njërit i cili është liruar në procedurë të rregullt.

Për rastin është deklaruar edhe Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa.

Ai dje ka thirrur konferencë për media për të treguar që është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë për aksione të tilla.

Ai tha se do të jetë i rezervuar në përgjigje për shkak se hetimet janë duke vazhduar akoma.

 “Cdo gjë e kemi adresuar të institucionet e drejtëisë, ftoj organet e drejtëisë këtë cështje ta çojnë deri në fund. Mebetem të gatshëm të bashkëpunojnë”, tha Mustafa.

Mustafa ka mohuar se aksioni mund të ketë prapavijë politike.

“Kjo cështje nuk është politike dhe e thash edhe më herët që nuk dua të komentojë. Ka qenë një aksion i organeve të drejtësisë”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë rast është deklaruar edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ai tha se të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të subvencioneve, marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas tij, grumbullimi i informacioneve dhe mbledhja e provave për këtë rast ka filluar nga muaji janar.

“Nga muaji janar ka filluar grumbullimi i informacioneve dhe mbledhja e provave që kanë rezultuar se duhet të zbatohen masat e fshehta dhe ato të vezhgimit, kemi ardhë në përfundim që të bastisen disa lokale ku mund të gjenden para të përfituara kundërligjshëm…Kemi bërë bastisjen e lokaleve, ku gjatë bastisjes kemi sekuestruar një shumë të madhe të të hollave, vetura, lapo top , kompjuterë telefona, etj.Që do të shërbejnë për procedurat e ardhshme”, tha Lumezi.

(Kosova Sot Online)