Gjermani akuzohet se ia ka dhënë planin e Bundestagut inteligjencës ruse

  • E.K /
  • 25 February 2021 - 11:40
Gjermani akuzohet se ia ka dhënë planin e Bundestagut inteligjencës ruse

Prokurorët federalë gjermanë kanë akuzuar një qytetar gjerman për spiunazh, duke thënë se ai ia ka dhënë inteligjencës ruse planet e ndërtesës së Bundestagut.

Burri i identifikuar si Jens F. arriti t’i siguronte planet e ndërtesës gjatë punës së tij për një kompani që ishte e angazhuar për mirëmbajtjen e pajisjeve elektrike në ndërtesat qeveritare, thuhet në deklaratën e prokurorisë, të publikuar të enjten.

Dyshohet se ky person ia ka dhuruar planet e ndërtesës qeveritare inteligjencës ruse nga fundi i korrikut të vitit 2017 deri në fillim të shtatorit të po atij viti, shkruan Reuters.

Në deklaratën e prokurorisë thuhet se ky person ia ka dërguar një pajisje për ngarkimin e të dhënave një punëtori të Ambasadës së Rusisë, i cili kryesisht ka punuar për agjencinë ruse të inteligjencës, GRU, që merret me inteligjencën e jashtme ushtarake.

Ndryshe, inteligjenca ruse njihet për ndërhyrjet e saj në vendet e huaja. Vitin e kaluar, Çekia dëboi dy diplomatë rusë që u dyshuan si të përfshirë në komplot për helmimin e tre politikanëve të këtij shteti.

Në mars të vitit 2018, dyshohet se agjentët rusë e helmuan në Britani të Madhe ish-oficerin ushtarak dhe agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal.

(Kosova Sot Online)