Edita Tahiri reagon BE’së: Për çfarë statusi neutral po flisni, na kanë njohur 22 shtete dhe vetëm 5 jo

  • E.K /
  • 25 February 2021 - 11:57
Edita Tahiri reagon BE’së: Për çfarë statusi neutral po flisni, na kanë njohur 22 shtete dhe vetëm 5 jo

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog, Edita Tahiri, i ka reaguar Bashkimit Evropian të cilët në arsyetimin për fotografinë prapa Miroslav Lajçak,  ku Kosova paraqitej pjesë e Serbisë.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano tha sot se BE’ja ka status neutral. I shpejtë ishte edhe reagimi i Tahirit, ku tha se “Për çfarë lloj ‘neutraliteti statusi’ po flasin disa zyrtarë të BE-së?” 

“Shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE kanë njohur shtetin e pavarur të #Kosovës. 22 e kanë njohur dhe, vetëm 5 ende nuk e kanë njohur. Për çfarë lloj ‘neutraliteti statusi’ po flasin disa zyrtarë të # BE-së?”, ka shkruar ajo.

Zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një replikë në rrjetin social Twitter ka thënë se pretendimi që harta e shfaqur prapa shpinës së Emisarit Miroslav Lajçak me Kosovën brenda territorit të Serbisë është i rremë.

Stano ka thënë se harta zyrtare e BE’së është në linjë me pozicionin neutral të BE’së për Kosovën.

“Pretendimi për hartën është tërësisht i pavend dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është – në vijë me pozicionin e Flamurit të Bashkimit Evropian – neutrale ndaj statusit.

Ai ka thënë poashtu se në vend që të fabrikohen tregime të rreme të fokusohen tek çështja e dialogut.

“Do t’u rekomandoja të gjithëve që të përqendrohen në çështje të vërteta që ndihmojnë për ta avancuar dialogun për normalizim, në vend se të përpiqen të fabrikojnë tregime të rreme”, ka shkruar Stano.

Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, më 22 shkurt të këtij viti ka dhënë një intervistë për mediumin “European Western Balkans”, ku ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Prapavija nga ku e jep këtë intervistë nuk dihet nëse është zyra e tij, apo ndonjë ambient në Bruksel, megjithatë krahas flamurit të BE’së shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

Një hartë që e tregon Kosovën pjesë integrale të Serbisë, madje as pa ndarjen administrative sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e mban në zyrë emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kjo u vërejt kur i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, dha intervistë nga Brukseli për Platformën EËB (European Western Balkans). Nga aty Lajçaku foli për vizitën që pritet ta bëjë në Prishtinë e Beograd.

Në kryeqytetin e Kosovës emisari europian mes tjerash pritet ta takojë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për të cilin në raport me dialogun, diplomati ka shumë pritje.

Kjo ndonëse Kurti ka deklaruar se bisedimet me Serbinë janë prioriteti i katërt i qeverisjes së tij kur të bëhet kryeministër.

”Albin Kurti është një politikan serioz me mandat të fuqishëm për kohën që po vjen. Sa ishte Kryeministër ai hoqi tarifën dhe e beri te mundur vazhdimin e dialogut. Ai ishte pjesë e bashkëpunimit të suksesshëm me Serbinë për çështje të shëndetësisë. Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Albin Kurtin në krejt këtë periudhë. Natyrisht ai e di se cilat janë pritjet e Bashkimit Europian”, deklaroi Lajçak.

Ai shtoi se ishte gjithmonë kundër afateve artificiale, sepse ato nuk funksionojnë.

“Unë thashë që i dija detajet e procesit dhe thashë që ishte e mundur të përfundonte brenda një muaji. Ne jemi këtu për palët sa herë që të jenë gati, por u takon të dy palëve të vendosin në shpejtësi”, deklaroi Lajcak.

Kur u pyetën se çfarë do të thotë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, Përfaqësuesi Special i BE u përgjigj se u takon të gjitha palëve të vendosin.

“Ne ndërmjetësojmë në proces, nuk e diktojmë atë. Sigurisht, duhet të ketë një vullnet nga të dy palët për të arritur atë marrëveshje. Nëse nuk ka vullnet, atëherë nuk ka marrëveshje. Por nëse nuk ka marrëveshje, atëherë ka të ardhme europiane. Unë do të bëj gjithçka dhe përpiqem të bëj më të mirën time, të zbatoj të gjitha aftësitë e mia, të gjithë përvojën time, për të ndihmuar palët të arrijnë një marrëveshje. Por sigurisht që të dy palët janë ato që duhet të bien dakord, ” Tha Lajcak.

Sidoqoftë, ai shtoi se minimumi që Brukseli pret nga të dy palët është që ata të mos importojnë çështje të hapura në familjen Europiane.

“Kjo do të thotë që ju duhet të zgjidhni çështjet tuaja dypalëshe ose çështjet tuaja rajonale para se të bëheni anëtare. Kjo është arsyeja pse ne po flasim për normalizimin e marrëdhënieve,” deklaroi Lajcak.

Ai tha se ishte një fakt që dialogu kishte vazhduar për dhjetë vjet, por që kishte prodhuar më shumë se 20 marrëveshje me ndikim real në terren. Lajcak po ashtu tha se ka mbështetjen e plotë të administratës së re amerikane.

(Kosova Sot Online)