Luftimi i korrupsionit në privatizimin e pronës publike projekt strategjik i Qeverisë Kurti 2 për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës

Luftimi i korrupsionit në privatizimin e pronës publike projekt strategjik i Qeverisë Kurti 2 për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës

Hajrullah Tërnava

  • 25 February 2021 - 07:49

Shkruan: Hajrullah Tërnava

Një luftim i krimit në përgjithësi, sidomos në fushën e privatizimit, nga Qeveria ne ardhje, do t’ia kthej shpresën e qytetarëve të vendit që të jetojnë dhe të kontribuojnë në shtetin e tyre Kosovë, duke krijuar kushte për hapje të vendeve të reja punës për rininë që presin për punësime shumë vite mbrapa, e dikujt i ikën deri 21 vite në pritje të kotë. Vendosja e ligjshmërisë në fushën e privatizimit hapë perspektiva reale për zhvillim ekonomik më dinamik, e kthen shpresën për një jetë me dinjitet në këtë shtet dhe mundësi reale të punësimit të të rinjve që janë në numër të madh, e që deri më tani kishin për synim braktisjen e vendit të tyre.

Qeveria në ardhje e cila gjatë fushatës ishte e qartë se do ta luftoj krimin në përgjithësi, e sidomos prioritet i jepnin luftimit të krimit në privatizim të pasurisë së shtetit të Kosovës. Edhe tani më në fund është e pritshme që pa vonesë, me ta marr mandatin, do të hapen dosjet e privatizimit të pasurisë së shtetit të Kosovës, nga grupet e lidhjeve mafioze me ish pushtetarët, që shkatërruan dhe nuk prodhuan asnjë efekt pozitiv për zhvillimin e vendit, por që përfituan vetëm grupet e interesave kriminale përmes mafio-oligarkëve të lidhur me mafio politikën kosovare të gjertanishme e të kriminalizuar.

Prandaj, për ta realizuar këtë zotim, kandidati për kryeministër nga LVV që tani ka paralajmëruar rishikimin e privatizimit si proces tepër të inkriminuar në masën më të madhe duke kërkuar nga AKP që të ndalon të gjitha veprimet në vazhdimin e mëtejmë të këtij procesi. Kurti ka thënë se më programin qeverisëse, edhe në mandatin e kaluar kishin paraparë ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizmit (AKP), për çka synohej rishikimin e gjithë procesit të privatizimit e që nënkuptonte një trajtim ndryshe si të pronës publike ashtu edhe të asaj shtetërorë. Kurti ka paralajmëruar së fundi bordin e AKP-së, që të mos vazhdon me faza të reja të privatizimit e likudimit, siç e quan ai të paligjshëm edhe këtë bord i cili sipas tij po synon keqpërdorimin e vakumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e qeverisë.

Ai i ka bërë me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë së tij të dytë , do të vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së, në raport me Qeverinë dhe Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Me këtë paralajmërim po shihet se është e qartë kërkesa e kryeministrit në ardhje Albin Kurti, pasi që edhe gjatë mandati të fundit, në Kuvendin e Kosovës ishte ngritur edhe komision hetimor për privatizimin por për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nuk arriti të përmbyll këtë mision. Në intervistim, sikur që dihet, kanë qenë ftuar disa nga përfituesit më të mëdhenj të privatizimit të ish ndërmarrjeve të mëdha, gjigant të dikurshëm në industrinë Kosovës, të dyshuar për lidhje e abuzime në proces e lidhje me politikën e krimin e organizuar.

Madje është raportuar edhe për shitje formale, pa lekë fare, të tokës së ndërmarrjeve të shtetit, ku një ari toke është shitur për 1 euro! Prandaj luftimi i këtij lloji të krimit të organizuar do të jetë një betejë serioze jo vetëm për qeverinë e re, por edhe për drejtësinë e Kosovës, nëse Qeveria Kurti arrin ta ndërton dhe mbështet një drejtësi ndryshe, te pavarur dhe të pa korruptuar nga kjo që e kontrollonte dhe dirigjonte ish-pushteti i disa qeverive të deritanishme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".