Joe Biden flet me mbretin saudit para raportit për vrasjen e Khashoggit

  • E.K /
  • 26 February 2021 - 09:18
Joe Biden flet me mbretin saudit para raportit për vrasjen e Khashoggit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka biseduar për herë të parë në postin e ri me mbretin Salman të Arabisë Saudite, para publikimit të një raporti të inteligjencës amerikane, që pritet ta përfshijë princin saudit në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në Turqi më 2018.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë për bisedën telefonike mes dy liderëve nuk përmendet raporti, por në një kontekst tjetër thuhet se presidenti Biden e konfirmoi rëndësinë që Shtete e Bashkuara ua japin të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Në anën tjetër, Ambasada e Arabisë Saudite në Uashington tha se dy liderët e konfirmuan fuqinë e lidhjeve dypalëshe dhe diskutuan për aktivitetet keqdashëse të Iranit në rajon dhe për mënyrat e avancimit të paqes në Jemen, shkruan The Guardian.

Bideni ka qenë shumë më i ftohtë me Riadin sesa ish-presidenti amerikan, Donald Trump, duke ia ndërprerë Arabisë Saudite ndihmat ushtarake për luftën në Jemen dhe duke refuzuar që të bisedojë në mënyrë të drejtpërdrejtë me princin Mohammed bin Salman, për të cilin inteligjenca amerikane beson se ka mundësi që ka dhënë urdhër për vrasjen e Khashoggit.

Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se është duke përgatitur masa shtesë ndaj atyre që i vlerëson si përgjegjës për vrasjen që u bë lajm botëror në kohën kur ndodhi. Këshilltari për siguri kombëtare, Jake Sullivan, javën e kaluar tha se administrata amerikane do të paraqesë masa shtesë kur të publikohet raporti për gazetarin.

(Kosova Sot Online)