Procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK’së hap pas hapi

  • E.K /
  • 26 February 2021 - 09:07
Procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK’së hap pas hapi

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të zgjidhet me datë 14 mars të këtij viti. Kështu është vendosur dje në mbledhjen që ka mbajtur kryesia e LDK-së.

Lajmin para mediave e ka konfirmuar sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.

“Sot kryetari në dorëheqje e ka ftuar mbledhjen e Kryesisë për Kuvendin Zgjedhor për kryetarin e ri të LDK’së. Kemi diskutuar për datën 14 mars kur pritet të jetë data për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor për caktimin e kryetarit të ri. Ne kemi filluar përgatitjet për mbarëvajtjen e Kuvendit me 14 mars të këtij vitit”, ka thënë Abrashi.

Poashtu Abrashi tha se ditëve në vijim do të kenë takime edhe me kryetarët e degëve të LDK’së dhe me Kryesinë për emrat e mundshëm për kryetar të LDK’së.

Por, çka thotë Statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës për dorëheqjen e kryetarit?

Neni 27 në statutin e LDK-së thotë se kryetari i këtij subjekti mund të japë dorëheqje pa i skaduar mandati.

Në rast se kryetari i LDK-së shkarkohet apo jep dorëheqje, atëherë saktësohet se brenda 60 ditësh duhet të thirret Kuvendi i LDK-së.

“27.1 Për punën e tij, Kryetari i përgjigjet Kuvendit të LDK-së. Me propozimin e 1/3 së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të Kryetarit. Votimin për besim mund ta ngrejë edhe vetë Kryetari. 27.2 Me votim për shkarkim, në përputhje me nenin 21, pushon mandati i Kryetarit të LDK-së.

27.3 Kryetari mund të japë dorëheqje para skadimit të mandatit. 27.4 Në rast të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 27, duhet të thirret Kuvendi i LDK-së, në afatin prej 60 ditësh”, thuhet në statut.

Neni 25 në statutin e LDK-së e saktëson se kryetari i këtij subjekti votohet në Kuvend të LDK-së me votim të fshehtë.

Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm.

 Në rast se Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetar. Kryetari i LDK-së njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.

Ani pse statuti i LDK-së thotë se kryetari i ri duhet të votohet brenda 60 ditësh, Isa Mustafa kishte thënë para mediave se një gjë të tillë do ta bëjë shumë më herët.

“Në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve të mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së unë sot e kam njoftuar kryesinë që do ta thërras kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, me statut i kemi 60 ditë po unë do ta bëjë këtë shumë më shpejt”, tha Mustafa.

Tashmë disa zyrtarë të LDK-së kanë thënë se mund të jenë kandidatë për kryetar të subjektit.

(Kosova Sot Online)