SHBA akuzon Princin e Kurorës për vrasjen e Kashogit, reagon Riadi: Raporti i papranueshëm

  • E.K /
  • 27 shkurt 2021 - 16:36
SHBA akuzon Princin e Kurorës për vrasjen e Kashogit, reagon Riadi: Raporti i papranueshëm

Princi Saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman ka aprovuar operacionin për kapjen ose vrasjen e gazetarit disident Xhamal Kashogi, që u vra në tetor të 2018-ës, sipas një deklarate zyrtare të publikuar nga Agjencia amerikane e Inteligjencës.

Kashogi, gazetari që publikoi disa shkrime kritike për princin e kurorës, në të përditshmen amerikane “Uashington Post”, u ekzekutua nga një ekip operativ, i lidhur me princin Bin Salman, në konsullatën e mbretërisë saudite në Stamboll.

“Ne vlerësojmë se princi saudit i kurorës, Muhammad bin Salman ka aprovuar operacionin në Stamboll, për të kapur apo për të vrarë gazetarin Xhamal Kashogi”, theksohet në faqen zyrtare të Inteligjencës Kombëtare Amerikane.

Edhe për sekretarin Amerikan të Shtetit ky raport flet qartë për përfshirjen e princit në vrasjen e gazetarit, por kjo sipas Blinken, nuk duhet të kushtëzojë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve në të ardhmen.

“Raporti flet vetë. Mendoj se sot kemi parë hapa të rëndësishëm për të rikalibruar marrëdhëniet tona. Së pari, pas publikimit të raportit dhe transparencës që ai siguron. Raporti është sensitiv. Ne jemi të vendosur të jemi transparentë për këtë çështje dhe të ndajmë me qytetarët amerikanë, atë çka dimë. Edhe pse raporti flet qartë, edhe për sjelljen në të shkuarën, është e rëndësishme që të shohim drejt të ardhmes. Po  ashtu, Departamenti i Thesarit po mendon për sanksionet ndaj ish- kreut të inteligjencës saudite, Ahmend Al Asiri, për rolin e tij direkt në operacionin në Stamboll, ku mbeti i vrarë Xhamal Kashogi”.

Por Riadi nxitoi menjëherë të mohojë çdo përfshirje të Princit Të kurorës, duke e cilësuar raportin e publikuar nga amerikanët, si negative, fals dhe të papranueshëm.

(Kosova Sot Online)