Ky shtet i bie pishman për dyshimet rreth vaksinës britanike

  • E.K /
  • 02 March 2021 - 10:24
Ky shtet i bie pishman për dyshimet rreth vaksinës britanike

Qeveria franceze e ka ndryshuar qëndrimin rreth vaksinës së AstraZeneca-s dhe Universitetit të Oksfordit, për të cilën kishte hedhur dyshime para disa javësh, duke e miratuar përdorimin e saj edhe te personat mbi moshën 65-vjeçare.

“Personat e prekur nga gjendjet tjera mund të vaksinohen me vaksinën e AstraZeneca-s, përfshirë ata mes moshave 65 dhe 74-vjeçare”, tha ministri francez i Shëndetësisë.

Muajin e kaluar, Franca e miratoi vaksinën e AstraZeneca-s vetëm për personat nën moshën 65-vjeçare, duke e përmendur si arsye mungesën e të dhënave për efektin e vaksinës te personat e moshuar.

Vaksina e Universitetit të Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca është duke u përdorur gjerësisht në Mbretërinë e Bashkuar, por disa vende të BE-së po e përdorin atë vetëm për personat nën moshën 65-vjeçare, përfshirë Gjermaninë.

Ndryshe, Komisioni Kanadez i Imunizimit të hënën këshilloi kundër vaksinimit të personave mbi moshën 65-vjeçare me vaksinën e Oksfordit, duke thënë se të dhënat nga testimi klinik për këtë grupmoshë janë shumë të kufizuara.

Në janar, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se vaksina e AstraZeneca-s është “kuazi-efektive” për personat më të moshuar. Pretendimi i tij u kundërshtuar fuqishëm nga zyrtarët dhe shkencëtarët britanikë.

Megjithatë, pas një takimi të Këshillit Evropian të premten, ai tha: “Nëse kjo është vaksina që më ofrohet, unë qartazi se do ta merrja.”

(Kosova Sot Online)