Padi 500-faqëshe kundër Bin Salmanit në Gjermani, akuzohet për krime kundër njerëzimit

  • E.K /
  • 02 mars 2021 - 12:40
Padi 500-faqëshe kundër Bin Salmanit në Gjermani, akuzohet për krime kundër njerëzimit

Princi Mohammed bin Salman i Arabisë Saudite dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti janë paditur në Gjermani për krime kundër njerëzimit nga grupi “Reporterët pa Kufij”, që është grup për lirinë e shtypit.

Padia me 500 faqe, e dorëzuar me prokurorin publik gjerman në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Karlsruhe, përqendrohet te përndjekja e gjerë dhe e vazhdueshme e gazetarëve në Arabinë Saudite, përfshirë ndalimin arbitrar të 34 gazetarëve dhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. 

“Gazetarërt janë viktima të vrasjeve të paligjshme, torturës, dhunës seksuale, detyrimit dhe zhdukjes së detyrueshme”, tha Christophe Deloire, sekretar i përgjithshëm i grupit “Gazetarët pa Kufij”, gjatë një konference për gazetarë të martën.

Organizata e zgjodhi Gjermaninë për ta paraqitur padinë në atë vend, sepse ligji gjerman u jep gjykatave juridiksion për krimet ndërkombëtare të kryera jashtë vendit, edhe nëse ato nuk kanë lidhje me Gjermaninë, shkruan The Guardian.

Grupi po shpreson që padia, që ka të bëjë kryesisht me veprimet e princit Bin Salman dhe katër zyrtarëve të lartë, do të çojë te hapja e të ashtuquajturës “analizë e gjendjes”, e cila mund të pasohet me hapjen e hetimeve zyrtare për atë nëse zyrtarët sauditë kanë kryer krime kundër njerëzimit duke i vënë në shënjestër gazetarët.

“Reporterët pa Kufij” thanë se gazetarët që po mbahen në ndalim janë viktima të krimeve të shumëfishta kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen e qëllimshme, torturimin, dhunimin seksual, detyrimin, privimin e paligjshëm nga liria, përndjekjen, detyrimin dhe zhdukjen e detyrueshme.

Kjo padi erdhi vetëm disa ditë pasi në një raport të inteligjencës amerikane thuhet se vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi më 2018 në konsullatën saudite në Turqi është bërë me miratimin e princit Bin Salman.

(Kosova Sot Online)