Malcolm Simmons sërish kundër BE-së, e pyet Miroslav Lajçakun për interesat e popullit të Kosovës

  • E.K /
  • 02 March 2021 - 14:49
Malcolm Simmons sërish kundër BE-së, e pyet Miroslav Lajçakun për interesat e popullit të Kosovës

Ish-shefi i gjykatësve të misionit evropian në Kosovë, EULEX, Malcolm Simmons, i ka reaguar të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës Vjos Osmani, tha se prioritetet e BE-së janë gjithashtu krijimi i vendeve të reja të punës dhe luftimi i korrupsionit.

Në një reagim në Twitter, Simmons e ka pyetur Lajçakun se çfarë ka për të thënë lidhur me interesant, aspiratat dhe prioritetet e popullit të Kosovës.

“Ah, po. Gjithmonë “prioritetet” e BE-së. Por çka rreth interesave, aspiratave dhe ‘prioriteteve’ të popullit të Kosovës, Z. Lajçak?”, shkroi ish-gjykatësi Malcolm Simnons.

Të dielën, Simmons e ka këshilluar Kosovën që të dalë me deklarata më të ashpra dhe më të drejtpërdrejta ndaj Bashkimit Evropian, lidhur me mosliberalizimin e vizave.

Në një reagim në Twitter, Simmons kishte thënë se është koha që Kosova t’i thotë BE-së “jemi lodhur nga lojërat e juaja”.

“A nuk është koha që Kosova t’i thotë BE-së: “Ne jemi lodhur nga lojërat që po i luani. Nuk do të ketë bashkëpunim të mëtejshëm me ju përveç dhe derisa të shohim ndonjë përparim nga pala e BE-së”?”, ka shkruar Simmons.

Bashkimi Evropian, ndonëse vlerëson se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, ende nuk ka marrë vendim që t’ua heq kosovarëve regjimin e vizave.

Ish-shefi i gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka folur gjerë e gjatë për skandalet në misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Për këtë, ai kishte kërkuar të raportonte edhe në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. 

(Kosova Sot Online)