Dallaveret me subvencione, Policia konfirmon arrestimin e zyrtarit të Komunës së Pejës

  • E.K /
  • 02 March 2021 - 15:44
Dallaveret me subvencione, Policia konfirmon arrestimin e zyrtarit të Komunës së Pejës

Media sot gjatë ditës ka raportuar për arrestimin e një zyrtari të Drejtorisë së Bujqësisë në Pejë me inicialet A.B. Burimet të brendshme i kishin treguar Gazetës se zyrtari i Komunës së Pejës dyshohet për përfitim të mijëra eurove në mënyrë të kundërligjshme. 

Derisa arrestimin e kanë konfirmuar edhe nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës. I arrestuari dyshohet për dallavere me subvencionet dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në paraburgim për 48 orë.

“Prishtinë 02 mars 2021, Me datë 01-03-2021 në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar, lidhur me dyshimet për keqpërdorime të subvencioneve. Me vendim të prokurorit të P.TH. Prishtinë, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Lidhur me rastin ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin, i cili tha se nuk ka njohuri për arrestimin e zyrtarit të komunës. Mirëpo Muhaxheri konfirmoi se A.B., nga dita e djeshme nuk ka dalë në punë.

Aksioni policor “Subvencioni 2021”, ka nisur javën e kaluar në Ministrinë e Bujqësisë në Prishtinë, për të vazhduar në disa lokacione tjera të vendit.

Nga ky aksion janë konfiskuar mbi 400 mijë euro, vetura, telefona, laptopë e kompjuterë.

Po ashtu janë prangosur 21 persona, shumica nga ta zyrtarë

(Kosova Sot Online)