Serbia furnizon me 10 mijë vaksina kundër COVID-19 Bosnjën

  • A.P /
  • 02 March 2021 - 16:07
Serbia furnizon me 10 mijë vaksina kundër COVID-19 Bosnjën

10 mijë vaksina kundër koronavirusit ka marrë me vete Aleksandër Vucic në Bosnje, ku mbërriti paraditen e sotme.

Dozat e vaksinës AstraZeneca do të shpërndahen në Federatën e Bosnjës, njërin nga dy entitetet e këtij vendi.

Në aeroportin e Sarajevës, ai deklaroi se “është i lumtur nëse këto vaksina do shpëtojnë jetë në Bosnje e Hercegovinë”.

“Çdo vaksinë që duan qytetarët e Bosnjës, ne do ta shpërndajmë. Çështja është te besimi reciprok. Kemi pritur ndihmën e njerëzve shumë më të fuqishëm, por në fakt po mbështetemi te njëri-tjetri. Ne në Serbi nuk mund të jemi të lumtur nëse njerëzit në Sarajevë, Banja Llukë ose Tuzëll nuk janë të lumtur”, tha Vuçic.

Serbia i ka dhuruar vaksina edhe Malit të Zi, e Maqedonisë së Veriut.

Deri tani, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia besohet se ka vaksinuar numrin më të madh të qytetarëve kundër koronavirusit.

(Kosova Sot Online)