Vëllai i Donjeta Pajazitaj thotë se u kërcënua nga djali i kryeplakut

  • A.P /
  • 02 mars 2021 - 17:56
Vëllai i Donjeta Pajazitaj thotë se u kërcënua nga djali i kryeplakut

Vëllai i Donjeta Pajazitajt, Shkëlqim Pajazitaj, ka publikuar disa letra anonime që janë dërguar në adresë të tyre, prokurorisë dhe policisë, lidhur me vrasjen e familjares së tyre. Në këto letra shkruhet për arsyen e vrasjes së Donjetës, urdhërdhënësin dhe kryesin e vrasjes.

Në një prej këtyre letrave të publikuara, thuhet se një person i quajtur Isni, e ka lënë shtatzënë Donjetën dhe pastaj ia ka dhënë 5 mijë euro Naser Pajazitajt, që ta vrasë.

Për këtë, është arrestuar kryeplaku i fshatit Strellc të Deçanit, Haki Pajazitaj, i cili më pastaj është liruar nga ndalimi, por është dënuar me gjobë në vlerë 200 euro dhe gjashtë muaj burgim me kusht, për deklarim të rrejshëm në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt.

Në një lidhje, vëllau i Donjeta Pajazitaj, Shkëlqim Pajazitaj ka thënë se është kërcënuar nga djali i kryeplakit i cili jeton në Gjermani.

Ai ka thënë se rastin nuk e kanë lajmëruar në polici pasi nuk i beson drejtësisë.

“Unë e kam pranuar një telefonatë prej djalit të tij i cili më ka kërcënuar që ta fshij postimin që kam bërë. Unë nuk e di se si të ja bëj me ta. Këtë rast nuk e kemi paraqitur sepse nuk po kemi as ku ta paraqesim, këtu nuk ka drejtësi”, tha ai.

(Kosova Sot Online)