Sa vota morën ata që iu bashkuan VV’së pak para zgjedhjeve

  • E.K /
  • 04 March 2021 - 11:42
Sa vota morën ata që iu bashkuan VV’së pak para zgjedhjeve

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Në mesin e atyre që kanë arritur t’i sigurojnë votat e nevojshme për të qenë pjesë e kësaj legjislature, janë edhe disa kandidatë që i janë bashkuar VV’së pak ditë para zgjedhjeve.

Vasfije Krasniqi është në pesshen e kandidatëve më të votuar nga lista e Vetëvendosjes. Sipas një liste që po qarkullon në media, ajo ka arritur të marrë 60 mijë e 885 vota.

Numër të madh të votave ka marrë edhe Armend Muja, i cili i ishte bashkuar partisë së Albin Kurtit së fundi. Ai ka marrë 44 mijë e 73 vota.

Pak para zgjedhjeve, pjesë e VV’së ishte bërë edhe profesori universitar, Ardian Gola. Gola i cili ka garuar për herë të parë për të qenë pjesë e Kuvendit, ka siguruar 11 mijë e 258 vota.

Edhe aktorja Adriana Matoshi ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për të qenë deputete e kësaj legjislature.

Matoshi ka marrë 10 mijë e 403 vota, duke lënë pas disa ish-deputetë të kësaj partie, si: Xhelal Sveçlën, Salih Zybën, Fatmire Kollçakun, Dimal Bashën dhe Fitore Pacollin.

(Kosova Sot Online)