Sami Lushtaku rrëfen momentin e rëndë kur e mori vesh për sulmin ndaj familjes Jashari

  • E.K /
  • 05 mars 2021 - 10:26
 Sami Lushtaku rrëfen momentin e rëndë kur e mori vesh për sulmin ndaj familjes Jashari

Nisin sot në Kosovë ceremonitë përkujtimore të epopesë së UÇK-së që përkojnë me luftën dhe sakrificën e familjes Jashari. 

Për këtë ngjarje të trishtë, ish-luftëtari i UÇK-së, Sami Lushtaku tregoi momentet e vështira kur mori vesh lajmin për sulmin ndaj Jasharjave.

“Një ditë e dhimbshme, e trishtueshme, por edhe krenare për vetë faktin që nga marsi filloi gjithçka që të rilindë në Kosovë”, u shpreh ai. 

“Unë kam qenë shok me Adem Jasharin, isha rrugës duke ardhur nga Gjermania. Nuk e besoj që në jetën time e kam pasur më të vështirë sesa ato ditë”, tha ai më tej.

Sa i përket hetimeve për masakrat në Kosovë, Lushtaku tha se është bërë padrejtësi e madhe ndaj shqiptarëve.

“Gjithçka që ka ndodhur në Kosovë, përgjegjëse është policia dhe shteti i Serbisë”, pohoi ai.

Lushtaku nënvizoi se një pjesë e trupave të shqiptarëve janë nëpër Serbi dhe në lumin Danub.

“Ne kemi kërkuar që të ketë drejtësi, por jo drejtësi selektive. Drejtësia ndërkombëtare sikur e ka më lehtë të merret vetëm më shqiptarët e Kosovës”, tha ai.

Ai shtoi se ‘institucionet e Kosovës janë të dobëta dhe ne jemi të varur nga ndërkombëtarët’.

(Kosova Sot Online)