Del foto e re e “anijeve fluturuese”, ja shpjegimi shkencor për këtë dukuri

  • E.K /
  • 05 March 2021 - 12:51
 Del foto e re e “anijeve fluturuese”, ja shpjegimi shkencor për këtë dukuri

Një iluzion optik ka lënë të habitur shumë njerëz, pasi tri anije afër bregdetit anglez duket sikur nuk janë duke prekur fare në ujë, por po qëndrojnë pezull mbi sipërfaqen e detit.

Fenomeni i njohur si Fata Morgana krijon një mirazh kur rrezet e Diellit e ngrohin atmosferën mbi tokë apo det dhe krijohet shtresë e ndryshme e temperaturave.

Një shtresë e ajrit të ngrohtë qëndron mbi një shtresë të ajrit të ftohtë, duke bërë që drita nga anija të deformohet përderisa kalon nëpër boshllëkun e rrymave të ajrit, shkruan Daily Mail.

Daily Mail shkruan se pamja e qetë që shihet në fotografi është kontrast i gjendjes së parehatshme të operatorëve të transportit ujor, të cilët po përballen me kufizime gjatë pandemisë.

Lundrimi ndërkombëtar ende është i ndaluar në Britaninë e Madhe, me përjashtim të rasteve thelbësore si transportimi i ushqimeve. Për këtë arsye, kompanitë e transportit ujor janë prekur rëndë nga pandemia.

Kompania më e madhe britanike për transportin ujor të udhëtarëve, P&O Cruises, ka njoftuar për një varg shëtitjesh rreth Britanisë së Madhe për pushimet verore, përderisa masat për lundrimin ndërkombëtar mbeten ende të paqarta.

(Kosova Sot Online)