Parlamenti Evropian ia heq imunitetin ish-presidentit të Katalonjës, e pret ekstradimi

  • E.K /
  • 09 March 2021 - 12:02
 Parlamenti Evropian ia heq imunitetin ish-presidentit të Katalonjës, e pret ekstradimi

Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash për t’ua hequr imunitetin ish-presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont, dhe dy ligjvënësve tjerë separatistë, duke i çuar edhe një hap më afër ekstradimit në Spanjë, ku akuzohen për nxitje të rebelimit.

Carles Puidgemont dhe Toni Comin, të cilët ndodhen në ekzil në Belgjikë, u bënë zyrtarisht deputetë në Parlamentin Evropian në qershor të vitit 2019, ndërsa Clara Ponsati, që ndodhet në Skoci, ka qenë anëtare e këtij organi nga janari i vitit të kaluar.

Të tre këta persona kanë pasur fletarrestime nga Spanja, e cila po e kërkon ekstradimin e tyre në lidhje me rolin që kanë pasur për organizimin e referendumit për pavarësinë e Katalonjës në vitin 2017, i cili nga një gjykatë spanjolle është vlerësuar si ilegal.

Ministrja spanjolle e Punëve të Jashtme, Arancha Gonzalez Laya, tha se vendimi i Parlamentit Evropian është shenjë e respektit për punën e sistemit të drejtësisë në Spanjë dhe se një ligjvënës evropian nuk mund ta përdorë pozitën e tij për ta mbrojtur veten nga paraqitja në një gjykatë kombëtare.

“Problemet në Katalonjë zgjidhen në Spanjë, jo në Evropë”, tha kryediplomatja spanjolle, duke e mbrojtur idenë e gjetjes së një zgjidhjeje përmes dialogut, shkruan Reuters.

Belgjika deri më tani e ka refuzuar kërkesën e Spanjës për ekstradimin e figurave të referendumit. Në janar, një gjykatë belge gjithashtu e refuzoi edhe ekstradimin e një separatisti tjetër, Lluis Puig.

Gjykata Supreme e Spanjës në vitin 2019 dënoi disa udhëheqës të përpjekjeve për pavarësi të Katalonjës me 9 deri në 13 vjet burgim.

(Kosova Sot Online)