“Nëna e kanabisit”, Meksika, bën një hap më afër legalizimit të kësaj droge

  • E.K /
  • 09 March 2021 - 12:45
 “Nëna e kanabisit”, Meksika, bën një hap më afër legalizimit të kësaj droge

Dy komisione të posaçme të Dhomës së Ulët të Kongresit në Meksikë e kanë miratuar projektligjin për dekriminalizimin e kanabisit dhe e kanë dërguar dokumentin te Dhoma e Lartë, duke shkuar një hap më afër krijimit të një prej tregjeve më të mëdha të drogës në botë, tashmë edhe me ligj.

Projektligji ka marrë mbështetje edhe nga administrata e presidentit meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, dhe do të përbënte ndryshim drastik të politikave në vendin e goditur që një kohë të gjatë nga dhuna mes grupeve mafioze të drogës.

Të hënën, projektligji u miratua nga Komisioni për Shëndetësi dhe Komisioni për Drejtësi, pasi dokumenti ishte miratuar lehtësisht në Senat në nëntor të vitit të kaluar, shkruan Independent.

Nëse projektligji miratohet edhe në Dhomën e Lartë, atëherë Meksika do ta themelojë Institutin për Rregullimin dhe Kontrollimin e Kanabisit, që do të lëshojë pesë lloje të licencave për kultivimin, përpunimin, shitjen, hulumtimin dhe eksportimin apo importimin e kanabisit.

Vetëm personat e moshës mbi 18-vjeçare, të cilët kanë leje, do të lejohen të bartin, kultivojnë apo konsumojnë kanabis apo nënprodukte të tij, thuhet në projektligjin e propozuar nga partia e presidentit Obrador, e cila e ka shumicën në të dyja dhomat e Kongresit.

Presidenti Obrador ka thënë se dekriminalizimi i kanabisit dhe i substancave tjera narkotike do të mund të ndihmonte në luftën kundër grupeve të fuqishme mafioze.

(Kosova Sot Online)